Në fakt, të hënën më 17 shkurt, në kompleksin e qendrës sportive “2 Korriku” në kryeqytet, mbahet turneu i futbollit të femrave, në të cilin do të marrin pjesë 8 skuadrat e Superligës së Kosovës. Turneu mbahet me sistem eliminimi, ndërkohë që do të përcillet edhe nga Afërdita Fazlija, përzgjedhëse e përfaqësuese së Kosovës në konkurrencën e femrave, e cila pas turneut nga këto futbolliste do ta bëjë përzgjedhjen e përfaqësueses sonë për ndeshjet e mundshme miqësore.
“Turneu ka rëndësi shumë të madhe pasi me të përfunduar do të bëhet grumbullimi i gjerë i futbollisteve në mënyrë që të jemi të gatshëm për ndeshjen miqësore e cila pritet të zhvillohet shumë shpejtë”, tha Afërdita Fazlija. Në turne marrin pjesë: Prishtina, Kosova, Trepça ’89, Vizioni, Llapi, Kaçanikasja, Theranda dhe Drita. Është tërhequr edhe shorti për ndeshjet, në të cilat takohen: Kosova – Theranda, Kaçanikasja – Drita,Vizioni – Prishtina dhe Trepça’89 – Llapi.
Fituesit e dy ndeshjeve të para takohen në gjysmëfinale, kurse fituesit e dy ndeshjeve të fundit ballafaqohen në gjysmëfinalen e dytë. Në finale takohen dy skuadrat fituese të gjysmëfinaleve. Deri më tashti asnjëherë nuk është grumbulluar përfaqësuesja e Kosovës për femra. /Zëri/Telegrafi/