Irene Crump dhe Phyllis Jones e kanë kaluar një shekull së bashku, prej se kanë lindur më 20 nëntor të vitit 1916 në Worcestershire të Anglisë.
Binjaket që ngjajnë shumë, por megjithatë nuk janë identike, e kanë kryer të njëjtën shkollë, kanë ndarë së bashku punën e parë, si dhe kanë jetuar në të njëjtin qytet, transmeton Telegrafi.
Sipas tyre, sekreti për jetëgjatësi, qetësi dhe lumturi është puna, angazhimi maksimal dhe ushqimi i shëndetshëm. Ky i fundit ka qenë primar gjatë festimit të ditëlindjes së tyre, së bashku me familjarë, miq dhe fqinjë.
“Mblidhemi shpesh, përgatisim specialitete të ndryshme dhe kënaqemi duke ngrënë dhe biseduar”, ka thënë Irene, e cila është për 25 minuta më e re binjakja saj.
Ato nuk janë të vetmet në familje që kanë jetuar gjatë, pasi motra e tyre e madhe ka vdekur në moshën 92-vjeçare. Në anën tjetër, burri i Irene ka jetuar 90 vjet, kurse bashkëshorti i Phyllis ka jetuar për një vit më shumë.
Pasi Irene nuk ka pasur fëmijë, ndërsa motra saj ka një djalë që jeton në shtëpi tjetër, në pesë vitet e fundit, ato kanë dalë të jetojnë së bashku.
Megjithëse motrat binjake janë të pavarura dhe nuk kanë nevojë për ndihmë, djali i Phyllis dhe gruaja tij, i vizitojnë ato çdo ditë, për të shikuar nëse kanë nevojë për diçka.
Këto gra besohet se janë në mesin e gjashtë palë binjakëve tjerë në Britani të Madhe, që kanë jetuar mbi 100 vjet. /Telegrafi/