Telegrafi

Për disa orë bie sistemi i vaksinimit në sallën “1 Tetori”, MSh: Vaksinimi nuk është ndalur për asnjë moment

Për disa orë nuk ka funksionuar sistemi i vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë. Kjo për shkak të disa çështjeve të rrjetit që lidhen me sistemin.

Kjo telashe bëri që qytetarët që shkuan për t’u vaksinuar me dozën e tretë antiCOVID-19 të presin për më shumë se një orë e gjysmë.

Derisa aty ishte edhe ekipi i KosovaPress, qytetarët nuk u vaksinuan.

Megjithëkëtë, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti por edhe koordinatori i qendrës së vaksinimit “1 Tetori”, Niman Bardhi thonë se procesi i vaksinimit po vazhdon edhe përkundër problemit me sistemin.

“Ka pasur vetëm disa vështirësi në regjistrimin digjital, por kushdo që ka shkuar për vaksinim i janë marrë të dhënat në mënyrë manuale dhe është vaksinuar. Si për COVID, si për grip sezonal dhe me aktivizimin e sistemit digjital të dhënat e tyre regjistrohen edhe në mënyrë manuale. Por vaksinimi nuk është ndalur për asnjë moment. Mundet me ra rrjeti, por nuk ka ndodhur asnjëherë mos me u rregullu brenda ditës”, tha Hoti në një përgjigje me shkrim për KP.

Niman Bardhi tha se pas telasheve me sistemin kanë bërë regjistrimin e qytetarëve në librat e protokollet, të cilat do të futen në sistem, posa të funksionalizohet.

“Edhe përkundër problemit me sistemin, procesi i vaksinimit është duke vazhduar, jemi duke bërë regjistrimin e qytetarëve në librat e protokollet, ku më pas do të futen të dhënat në sistem sapo të funksionalizohet”, tha Bardhi për KP.

Nazmi Canolli tregoi për KosovaPress për pritjen që ishte duke bërë për ta marrë dozën e tretë të vaksinës antiCOVID-19. Canolli u shpreh se nuk ka hezituar që të marrë edhe dozën e tretë të vaksinës, ku edhe u ka bërë thirrje të gjithë që të vaksinohen.

“Kam ardhur me marr dozë e tretë të vaksinës, dy dozat i kam marrë me rregull edhe të tretën dëshiroj me marr por që 1 orë e gjysmë jemi duke prit, nuk ka sistem[…]Nuk kam hezituar kam ardhur me vullnet edhe çka e vërteton shkenca unë i përmbahen dhe dëshiroj t’i kryej detyrat. Unë kisha me thënë të gjithë sa më parë me i marrë me largu rrezikun por njerëzit nuk e di se çfarë po mendojnë”, thotë ai.

Thirrje për ta marrë edhe dozën e tretë të vaksinës po bënë edhe qytetarja Hazbije Kurtleshi e cila tashmë ishte duke pritur që të rregullohej sistemi dhe të vaksinohet

“Dy dozat e para i kam marrë me 25 qershor edhe janë bërë 6 muaj tash kemi ardhur me marrë të tretën me burrin. Jo aspak se shumë mirë jam ndier kur i kam marrë të dyjat. Jo valla un i kisha me i apelua qytetarët me marrë të dyjat edhe të tretën se është për shëndetin tonë”, shton ajo.

Vaksinimi me dozën e tretë dhe dozën përforcuese ka filluar të enjten.