Site icon Telegrafi

Për çka kemi luftue, bre?!

Një ndër argumentet më të rëndësishme që përdorte Gandhi kundër dhunës, ishte lidhshmëria mes “mjetit” dhe “qëllimit”, gjë që në realpolitikën e Machiavellit ishte virtyt. Gandhi thoshte se nëse çlirimtarët përdorin mjete të dhunshme, ekziston rreziku që edhe pas çlirimit do të qeverisin si të dhunshëm. E, Machiavelli nuk lodhej fort se çfarë përdornin, por me rëndësi ishte të vinin… në pushtet!

Nuk munda ta hap debatin për luftën popullore të UÇK-së pa e përmendur argumentin që e ndërtoi Gandhi mbi teorinë e Machiavellit. Jo pse jam kundër mjetit (luftës) të UÇK-së (përkundrazi, e përkrah atë), por sepse mjeti i tyre u përdor e po përdoret prej individëve si argument për qëllime tjera. Pra, duhet thënë troç se lufta çlirimtare e popullit të Kosovës ka 15 vite që po instrumentalizohet!

Së pari, lufta u intrumentalizua për pushtet e pushteti u pajtua që ta zhvesh luftën. Me Thaçin kryeministër në Rambouillet u zhvesh UÇK-ja fizikisht, e me po të njëjtin kryeministër në Bruksel u zhvesh lufta për t’u quajtur “konflikt i armatosur”, “përplasje ndëretnike”, “mosmarrëveshje fqinjësore”… çkado përpos luftë çlirimtare nga UÇK-ja dhe luftë për spastrim etnik e gjenocid ndaj shqiptarëve nga shteti i Serbisë!

Pastaj, menjëherë pas luftës filloi instrumentalizimi institucional. Në politikë erdhi “krahu i luftës”. Disa në parti politike, e disa në shërbime informative. Sërish, “për çka kemi luftue, bre?” u bë argument nga shumë prej tyre për ta pasur pushtetin i cili karakterizohet nga korrupsioni, krimi e kontrabanda.

Intrumentalizimi i luftës për të fituar pushtet vazhdoi në nivele të ndryshme. Kishte individë që merreshin me aktivitete kriminale nga më të ndryshmet, e që krejt i bënin me shakanë “për çka kemi luftue, bre?”! Është vështirë të besohet se dikush që rrezikoi jetën për liri, në liri ua rrezikon jetën të tjerëve për pushtet. Prandaj, dua ta bëj dallimin në mes ushtarit që luftoi për liri dhe “ushtarit që luftoi + për çka ka luftue, bre?’”!

I gjithë ky instrumentalizim i brendshëm nuk bëri gjë tjetër përpos që i dha shkas instrumentalizimit të jashtëm, por që ishte kundërthënës. Në njërën anë “politikat Young Europeans” tentonin të na tregonin se këtu s’ka pasur luftë fare, e në anën tjetër Carla Del Ponte e Dick Marty thoshin se jo vetëm që kemi luftuar, por edhe kemi “operuar e transplantuar”. Pra, aq shumë e keqpërdorën luftën sa që herë thoshin që s’ka ndodhur e herë thoshin se ka qenë periudhë e transplantimit të organeve!

Në anën tjetër, nga frustrimi që u krijua nga tërë ky keqpërdorim, po dalin njerëz që e fyejnë luftën e i fyejnë të gjithë ata që luftuan. Këta nuk marrin mundin të bëjnë dallimin. Për ta të korruptuar janë edhe “krahu i luftës” në pushtet, edhe krahu i luftës në mesin e të cilëve mbi 45 kanë kryer vetëvrasje, e të tjerët që janë gjallë e mezi mbijetojnë.

Ajo që edhe instrumentalizuesit e luftës e edhe fyesit e saj keqpërdorin është liria. Të parët e përdorin luftën për liri si argument për të shtypur të tjerët e për tu pasuruar për vete, e të dytët e përdorin lirinë e shprehjes për të fyer të gjithë ata që luftuan. Të dy palët tingëllojnë aq cinikë kur e përdorin “lirinë” si argument, sepse së pari nuk e dinë kufirin, me ç’rast i cenojnë liritë e të tjerëve, dhe së dyti nuk e dinë se liria nuk mjafton pa drejtësi. Lufta për liri nuk ta jep të drejtën të pushtosh në liri. Nëse dikush ka luftuar, atëherë ai e ka kryer një obligim kombëtar, por assesi nuk ka investuar për tu pasuruar në emër të luftës, e as nuk e ka fituar të drejtën që ta zë pozitën e shtypësit kundër të cilit ka luftuar. Në anën tjetër, liria e shprehjes edhe mund të ta jep të drejtën të thuash çfarë të duash, por jo domosdoshmërisht çfarëdo që thua është e drejtë. Pra, liria ta lejon, por nuk ta legjitimon qëndrimin.

Dhe, kështu, përgjigja për pyetjen “për çka kemi luftue, bre?” shpesh edhe mund jetë e ndryshme, varësisht prej veprimeve të atyre që luftuan dhe rrethanave në të cilat po jetojmë. Disa, kishin luftuar për pushtet e pasuri sepse “për çka kemi luftue, bre?” e kanë argument për pasurimin e paligjshëm pas luftës.

Të tjerët kishin luftuar që ta kuptonin se pas luftës do të përballeshin me zhgënjim e skamje që u shkaktuan nga këta që kishin luftuar për tu pasuruar. E, kështu, argumenti i Gandhit po na del i vërtetë, sepse për disa mjetet (lufta) u përdorën për qëllime të tjera, si pasuria e pushteti, ndërsa për të tjerët qëllimet si liria e bashkimi nuk u realizuan për shkak të instrumentalizimit të mjeteve të të parëve.

Por, sërish, përgjigja e vërtetë e pyetjes së famshme nuk mund të fshihet e as të njolloset nga kontrabanduesit e saj. Sepse, luftën nuk e bën individët: atë e bëri populli. Përgjigjen se “për çka kemi luftue, bre?” nuk e jep askush më mirë se sa vetë ushtari që u betua se “Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem”!

 

 

Exit mobile version