Nga: Raymond Carver
Përktheu: Agron Shala
Ishte duke folur miku im Mell MekGinis. Mell MekGinisi është kardiolog dhe kjo ndonjëherë atij i jep përparësi.
Që të katërt ishim të ulur rreth tavolinës së kuzhinës së tij. Po pinim xhin. Përmes dritares së madhe, mbrapa lavamanit, drita e diellit e zdriste kuzhinën. Aty ishim Melli, unë dhe gruaja e tij e dytë Tereza – Teri, siç e quanim ne – dhe gruaja ime Laura. Atëbotë jetonim në Albëkerki. Por, që të gjithë vinim nga vende të tjera.
Një kovë me akuj ishte mbi tavolinë. Xhini dhe uji me gaz silleshin përreth dhe ne disi u futëm në temën e dashurisë. Melli mendonte se dashuria e vërtetë s’është gjë tjetër pos dashuri shpirtërore. Na tregoi se i kishte kaluar pesë vjet të jetës së tij në një seminar për t’u bërë prift para se ta braktiste atë për Fakultetin e Mjekësisë. U shpreh se vitet e kaluara në atë seminar edhe sot i kujton si vitet më të rëndësishme të jetës.
Teri tha se burri me të cilin jetonte para se të bashkohej me Mellin e donte aq shumë saqë u përpoq ta vriste. Atëherë Teri tha: “Më rrahu një natë. Për kyçet e këmbëve më tërhiqte zvarrë nëpër dhomën e ndenjes. Tërë kohën thoshte: ‘Të dua, të dua, kurvë’. Nga kyçet vazhdoi të më zvarriste nëpër dhomën e ndenjes. Koka ime prapë godiste gjësendet”. Teri shikoi përreth tavolinës. “Çfarë thoni për një dashuri si kjo”?
Ishte grua asht e lëkur, me fytyrë të bukur, sy të errët dhe flokë kafe që i vareshin për shpine. I pëlqenin gjerdanet e bërë nga bruzi dhe vathët e gjatë pedantë.
“Pash Zotin, mos u bëjë budallaqe! Kjo s’është dashuri dhe ti fortë mirë e di këtë” – tha Melli. “Nuk e di se si do ta quash, por jam i sigurt se nuk do ta quash dashuri”.
“Thuaj çfarë të duash, por unë e di se ishte” – tha Teri. “Mund të tingëllojë gjë e çmendur për ty por, po ashtu, është e vërtetë. Mell, njerëzit janë të ndryshëm. Natyrisht, ndonjëherë vepronte si i çmendur. Në rregull. Por, më donte. Ndoshta në mënyrën e tij, por më donte. Kishte dashuri aty, Mell. Mos thuaj se nuk kishte”.
Melli e lëshoi një ofshamë. E mbante gotën e tij dhe u kthye kah Laura e unë. “Tipi kërcënoi të më vriste” tha Melli. E mbaroi pijen dhe e kapi shishen e xhinit. “Teri është romantike. Teri është nga shkolla ‘Më-rrih-që-ta-di-se-më-do’. E dashura Teri, mos më shiko në atë mënyrë”. Melli zgjatet në tavolinë dhe e prek faqen e Terit. I buzëqesh asaj.
“Tash do që të pajtohemi” – thotë Teri.
“Të pajtohemi për çka?” – pyet Melli. “Çfarë ka për t’u pajtuar? Di çka di. Kjo është e tëra”.
“Sidoqoftë, si ia nisëm kësaj teme?” – tha Teri. E ngriti gotën dhe piu nga ajo. “Melli e ka përherë dashurinë në mendje” – tha ajo, “apo jo i dashur”? Buzëqeshi dhe mendova se kaq i mjaftonte atij.
“Thjesht, sjelljen e Edit nuk do ta quaja dashuri. Kjo është e tëra që po them e dashur” – tha Melli. “Po për ju njerëz?” – na pyeti Melli, Laurën dhe mua: “A tingëllon për ju kjo si dashuri”?
“Unë jam personi i gabuar për t’u pyetur” – i thashë. “Unë as që e njihja tipin. Veç e kam dëgjuar emrin e tij teksa përmendet kalimthi. Nuk mund ta di. Ju duhet t’i dini detajet. Por, mendoj se ajo që je duke thënë është se dashuria është absolute”.
Melli tha: “Soji i dashurisë për të cilën po flas. Për sojin e dashurisë për të cilën po flas, nuk tentoni t’i vrisni njerëzit”.
Laura tha: “Nuk di gjë për Edin dhe asgjë rreth situatës. Por, kush mund ta gjykojë gjendjen e dikujt tjetër”?
Preka pjesën e pasme të shuplakës së Laurës. Ma dha një buzëqeshje të shpejtë. E mbërtheva dorën e Laurës. Ishte e ngrohtë, me thonjtë e lëmuar të bërë manikyr në mënyrë të përkryer. Me gishtërinj i bija përqark kyçit të dorës dhe e mbaja.
“Kur e braktisa, e piu helmin e miut” – tha Teri. I kryqëzoi gishtat e dorës. “E çuan në spital në Santa Fe. Atje kemi jetuar atëherë, rreth dhjetë milje larg. Ia shpëtuan jetën. Por, mishrat e dhëmbëve iu prishën. Pra, u tërhoqën nga dhëmbët. Pas kësaj, dhëmbët i dilnin si të ujkut. Oh Zot!” – tha Teri. Priti një minutë, pastaj i liroi duart dhe e kapi gotën e saj.
“Çfarë nuk janë në gjendje njerëzit të bëjnë” – tha Laura.
“Tash është pasiv” – tha Melli. “Ka vdekur”.
Melli ma afroi enën me limon. Mora një copë, e shtrydha mbi pijen time dhe i trazoja kubat e akullit me gisht.
“Puna u bë më keq” – tha Teri. “E qëlloi veten në gojë. Por, edhe këtë e bëri shkel e shko. I gjori Edi” – tha ajo. Teri tundi kokën.
“Jo i gjori Edi” – tha Melli. “Ishte i rrezikshëm”.
Melli është 45 vjeç. I gjatë dhe shtathedhur e me flokë të buta kaçurrela. Fytyra dhe duart ishin ngjyrë kafe nga tenisi që luante. Kur ishte i kthjellët, gjestet e tij, të gjitha lëvizjet e tij, ishin precize e shumë të kujdesshme.
“Mell, ai, megjithatë, më donte. Pranoje këtë” – tha Teri. “Kjo është gjithçka që po ta kërkoj. Ai nuk më donte ashtu si më do ti. Nuk po e them këtë. Por, më donte. Ti mund ta pranosh këtë, apo jo”?
“Çka mendon kur the, e bëri shkel e shko?” – e pyeta.
Laura u përkul para me gotën e saj. I vendosi bërrylat në tavolinë dhe e mbante gotën me të dyja duart. Shikoi kah Melli e Teri dhe priste me një vështrim të hutuar në fytyrën e saj të sinqertë, sikur mahnitej me faktin se gjërat e tilla u ndodhnin njerëzve me të cilët jemi miq.
“Si e bëri shkel e shko kur e vrau veten?” – pyeta.
“Do t’ju tregoj se çfarë ndodhi” – tha Melli. “E ka marrë revolen 22-she, të cilën e bleu për të na kërcënuar, Terin dhe mua. Ej, jam serioz, tipi gjithmonë kërcënonte. Duhet ta kishit parë se si kemi jetuar ato ditë. Si të arratisur. Edhe unë për veten time e bleva një armë. A mund ta besosh? Një njeri si unë? Por, e bëra. E bleva revolen për vetëmbrojtje dhe e mbaja në syzën e përparme të veturës. Ndonjëherë, në pik të natës më duhej të largohesha nga banesa. E dini pra, për të shkuar në spital? Teri dhe unë atëherë s’ishim të martuar. Gruaja ime e parë e kishte shtëpinë me fëmijët, qenin, gjithçka, ndërsa Teri dhe unë jetonim këtu, në këtë banesë. Ndonjëherë, siç isha duke thënë, e merrja një telefonatë në mes të natës, ndaj më duhej të shkoja në spital në dy ose tre të mëngjesit. Ishte errët atje në parking, ndaj bëhesha djersë para se të futesha në makinën time. Asnjëherë s’e dija nëse do të dilte nga shkurrnajat apo nga prapa makinës, për të filluar me të shtënat. Dua ta them se tipi ishte i çmendur. Ishte i aftë ta montonte një bombë, gjithçka. Thërriste ndërrimin gjatë gjithë kohës dhe shprehej se i duhej të fliste me mjekun, e kur përgjigjesha më thoshte: “Bir kudre, ditët tua janë të numëruara”. Gjëra të tilla si kjo. Pra, jua them ishte gjë e frikshme”.
“Unë ende ndiej keqardhje për të” – tha Teri.
“Tingëllon si makth” – tha Laura. “Por, çfarë ndodhi saktësisht pasi e qëlloi veten”?
Laura është ndihmësavokate. Jemi takuar në baza profesionale. Shumë shpejt lindi romanca. Ajo është 35 vjeçe, tri vjet më e re se unë. Përveç faktit se jemi të dashuruar, e pëlqejmë njëri-tjetrin dhe e shijojmë shoqërinë e njëri-tjetrit. Ajo është shumë e përshtatshme për lidhje.
“Çka ndodhi?” – tha Laura.
Melli tha: “E qëlloi veten në gojë, në dhomën e tij. Dikush e dëgjoi të shtënën dhe i tregoi mbikëqyrësit të ndërtesës. Shkuan me çelës kopil, panë se çfarë kishte ndodhur dhe e thirrën ambulancën. Rastisi të jem aty kur e sollën – të gjallë, por pa vetëdije. Tipi jetoi edhe tri ditë. Koka e tij u bymye në dyfishin e madhësisë së një koke normale. Kurrë nuk kisha parë diçka të tillë dhe shpresoj se nuk do ta shoh kurrë më. Kur e kuptoi se çfarë kishte ndodhur, Teri donte të hynte dhe të ulej pranë tij. U përlamë për këtë. Mendoj se nuk duhej ta shihte ashtu. Mendoj se fare nuk do të duhej ta shihte dhe këtë e mendoj edhe sot”.
“Kush e fitoi përleshjen?” – tha Laura.
“Isha në dhomë me të kur vdiq” – tha Teri. “Kurrë nuk u pajtua me këtë. Por, unë u ula pranë tij. Nuk e kishte askënd tjetër”.
“Ai ishte i rrezikshëm” – tha Melli. “Nëse e quan këtë dashuri, mbaje për vete pra”.
“Ishte dashuri” – tha Teri. “Natyrisht, është abnormale në sytë e shumë njerëzve. Por, ishte i gatshëm të vdiste për të. Ai vdiq për të”.
“Unë natyrisht se nuk do ta quaj kurrë dashuri” – tha Melli. “Dua të them se askush s’e di se për çfarë e bëri. Kam parë shumë vetëvrasje dhe nuk mund të them se dikush e di se për çfarë e kishin bërë”.
Melli i vuri duart pas qafës dhe e anoi karrigen mbrapa. “Nuk jam i interesuar për atë lloj dashurie” – tha ai. “Nëse kjo është dashuri, mbajeni për vete”.
Teri tha: “Kishim frikë. Melli madje e bëri një testament dhe i shkroi vëllait të tij në Kaliforni që dikur ishte pjesëtar i forcave speciale. Melli i tregoi se me çfarë duhej të merrej nëse do t’i ndodhte diçka”. Teri piu nga gota e saj. Tha: “Por, Melli ka të drejtë – jetuam si të arratisur. Kishim frikë. Melli ishte i frikësuar, apo jo i dashur? Unë në një rast madje e thirra policinë, por nuk na ndihmoi. Tha se nuk mund të bëjë asgjë derisa Edi nuk ndërmerr diçka. A nuk është për të qeshur?” – pyeti Teri.
Ajo e derdhi pjesën e fundit të xhinit në gotën e saj dhe e tundi shishen. Melli u ngrit nga tavolina dhe shkoi te dollapi e mori një shishe tjetër.
“Epo, Niku dhe unë e dimë se çfarë është dashuria” – tha Laura. “Dua të them, për ne” – tha Laura. E përplasi gjurin tim me gjurin e saj. “Besoj se tash ti duhet të thuash diçka” – tha Laura dhe e ktheu buzëqeshjen tek unë.
Si përgjigje, e kapa dorën e Laurës dhe e ngrita te buzët e mia. E bëra një shfaqje të madhe duke e puthur dorën e saj. Të gjithë u argëtuan.
“Jemi me fat” – thashë.
“Ej, njerëz” – tha Teri. “Ndaleni atë. Po më çmendni. Pashë Zotin, ende jeni në muajin e mjaltit!? Ende jeni të eksituar, djalli ta haj. Pritni pak. Qe sa kohë jeni bashkë? Qe sa kohë? Një vit? Më shumë se një vit”?
“Po shkojmë te një vit e gjysmë” – tha Laura, e skuqur dhe buzëqeshur.
“Eh, tash” – tha Teri. “Pritni edhe pak”.
E mbante pijen dhe e shikonte Laurën.
“Po bëj shaka” – tha Teri.
Melli e hapi xhinin dhe me shishe u soll rreth tavolinës.
“E pra, njerëz” – tha ai. “Ta ngremë një dolli. Dua ta propozoj një dolli. Një dolli për dashurinë. Për dashurinë e vërtetë” – tha Melli.
I cakërruam gotat.
“Për dashurinë!” – thamë.
Jashtë, në oborrin e shtëpisë, një prej qenve nisi të lehë. Gjethet e plepit që përkuleshin në dritare e preknin xhamin. Dielli i pasdites ishte si prania në dhomë – një dritë e bollshme e çlodhjes dhe e bujarisë. Mund të ishim kudo, diku të magjepsur. I ngritëm gotat sërish dhe i buzëqeshëm njëri-tjetrit sikur fëmijët që merren vesh për diçka të ndaluar.
“Jua them unë se çka është dashuria e vërtetë” – tha Melli.
“Mendoj se do t’jua jap një shembull të mirë. Dhe pastaj ju mund t’i nxirrni përfundimet tuaja” shtoi. Derdhi më shumë xhin në gotën e vet. Ia shtoi një kub akull dhe një copë limon. Prisnim dhe e pimë nga një gllënjkë. Unë dhe Laura i prekëm gjunjët përsëri. E futa dorën në kofshën e saj të ngrohtë dhe e lashë aty.
“Çfarë di secili nga ne për dashurinë?” – pyeti Melli. “Më duket se jemi fillestarë në dashuri. Themi se e duam njëri-tjetrin dhe, e duam, nuk kam dyshim për këtë. Unë e dua Terin dhe Teri më do. Edhe ju njerëz e doni gjithashtu njëri-tjetrin. E dini sojin e dashurisë për të cilën tash po flas? Dashurinë fizike, atë impuls që ju shtyn te dikush i veçantë, si dhe dashurinë ndaj qenies së personit tjetër, esencës së tij ose të saj, në çfarëdo mënyre. Dashurinë sensuale dhe, po pra, ta quajmë dashuri sentimentale, me kujdesin ditor për personin tjetër. Por, ndonjëherë e kam të vështirë ta marrë parasysh faktin se, po ashtu, mund ta kem dashur edhe gruan time të parë. Por, e kam dashur. E di se po. Besoj se në këtë aspekt jam si Teri. Si Teri dhe Edi”. Mendoi pak për këtë dhe vazhdoi. “Ka momente kur mendoj se më shumë se veten time e kam dashur gruan time të parë. Por, tash e urrej guximin e saj. E urrej. Si e shpjegoni këtë? Çfarë ndodhi me atë dashuri? Çfarë ndodhi me të është ajo që dua ta di. Dua dikush të ma thotë. Pastaj është Edi. Në rregull, iu rikthyem Edit. Ai e donte Terin aq shumë saqë tentoi ta vriste atë dhe përfundoi duke e vrarë veten”. Melli u ndal së foluri, për të pirë nga gota e tij. “Ju njerëz jeni bashkë qe tetëmbëdhjetë muaj dhe e doni njëri-tjetrin. Shihet ashiqare kjo. Po shkëlqeni. Por, ju të dy i keni dashur njerëzit e tjerë përpara se të takoheshit me njëri-tjetrin. Ju të dy ishit të martuar më parë ashtu si ne. Dhe, po ashtu, ju mbase keni dashur njerëz të tjerë edhe para kësaj. Teri dhe unë jemi bashkë që pesë vjet, e jemi martuar që katër. Dhe, gjëja e tmerrshme, gjëja më e tmerrshme dhe gjëja e mirë – shëlbesë mund ta quani – është se nëse diçka do t’i ndodhte njërit prej nesh – më falni që e them këtë – nëse diçka do t’i ndodhte nesër njërit prej nesh, mendoj se tjetri, e dini pra se personi tjetër do të mërzitej për një kohë, por atëherë pala e mbijetuar do të jetojë dhe do të dashurojë përsëri e do ta ketë shpejt dikë tjetër. E gjithë kjo, e gjithë kjo dashuri për të cilën po flasim, do të ishte thjesht një kujtim. Ndoshta as kujtim! A e kam gabim? A po keqkuptohem? Dua të më korrigjoni nëse mendoni se e kam gabim. Dua ta di. Dua të them se nuk di asgjë dhe se jam i pari që po e pranoj”.
“Pashë Zotin, Mell” – tha Teri. U zgjat dhe e kapi kyçin e dorës së tij. “Mos po dehesh? Zemër? A je dehur”?
“E dashur, unë po flas” – tha Melli. “Në rregull? Nuk kam nevojë të dehem për ta thënë atë që mendoj. Pra, jemi duke biseduar, apo jo?” – pyeti Melli dhe ia fiksoi shikimin asaj.
“I dashur, nuk po të kritikoj” – tha Teri. E kapi gotën e saj.
“Sot nuk jam kujdestar” – tha Melli. “Më lejoni t’jua kujtoj këtë. Nuk jam kujdestar” – tha ai.
“Mell, ne të duam” – tha Laura.
Melli e shikoi Laurën. E shikoi thuajse nuk kishte çfarë të bënte, sikur nuk ishte gruaja që ishte. “Të dua, po ashtu, Laura” – tha Melli. “Edhe ty Nik të dua, po ashtu. A dini diçka?” – tha Melli. “Ju jeni dostat tanë” – tha Melli. E kapi gotën e tij.
Melli tha: “Doja t’ju tregoja diçka. Pra, u mundova ta dëshmoja një gjë. E shihni, kjo ka ndodhur disa muaj më parë, por po vazhdon edhe tash dhe duhet të na bëjë të ndihemi të turpëruar kur flasim kinse po dimë se për çfarë po flasim kur flasim për dashurinë”.
“Mjaft tani” – tha Teri. “Mos fol sikur je i dehur, nëse nuk je i dehur”.
“Mbylle gojën të paktën këtë herë” – tha Melli, qetë. “A ma bën këtë nder për një minutë? Pra, siç isha duke thënë, ishte një çift i vjetër që kishte një veturë që u shkatërrua në magjistrale. Një fëmijë i goditi ata dhe të gjithë u bënë copë e askush nuk besonte se mund t’ia dilnin mbanë”.
Teri shikoi kah ne e pastaj Mellin. Dukej e nervozuar apo, ndoshta, kjo është fjalë shumë e rëndë. Melli e shërbente shishen rreth tavolinës.
“Isha kujdestar atë natë” – tha Melli. “Ishte maji ose, mbase, ishte qershori. Teri dhe unë sapo ishim ulur për darkë kur më thirrën nga spitali. Ka ndodhur kjo gjë në magjistrale. Një fëmijë i dehur, tinejxher, i ra me kamionçinën e babait kamperit me këtë çiftin e vjetër brenda. Ky çift ishte në mes të shtatëdhjetave. Fëmija – 18 apo 19 vjeç, ashtu diçka – i vdekur në vend. Timoni kishte depërtuar kafazin e kraharorit të tij. E kuptuat, çifti i vjetër ishte gjallë. Desha të them, mezi të gjallë. Por, kishin gjithçka – fraktura të shumta, lëndime të brendshme, hemorragji, shembje, çarje dhe secili prej tyre i kishte tronditjet e veta. Më besoni, ishin keq. Dhe, sigurisht se mosha ishte goditje e dyfishtë për ta. Mendoj se ajo ishte më keq se ai. Shpretkën e çarë me gjithçka tjetër. Të dy gjunjët e thyer. Por, ata i kishin vënë rripat e sigurimit dhe, Zoti e di, kjo ishte ajo që i shpëtoi”.
“Njerëz, kjo është reklamë për Këshillin e Sigurisë Kombëtare” – tha Teri. “Po flet zëdhënësi juaj, dr. Mellvin R. MekGinis” – qeshi Teri. “Mell” – tha ajo, “ndonjëherë e tepron. Por, të dua zemër” – tha ajo.
“E dashur, të dua” – tha Melli.
Ai u zgjatë në gjysmë të tavolinës. Teri e takoi në mes. U puthën.
“Teri ka të drejtë” – tha Melli teksa ulej. “Lidhini ata rripa të sigurisë. Por, seriozisht, ata të moshuar ishin në njëfarë forme. Në kohën kur arrita, siç e thashë, fëmija kishte vdekur. Ai ishte jashtë në një qoshe, i shtrirë në një shtrat me rrota. E kontrollova çiftin e vjetër dhe i thashë infermierit që ta dërgonte menjëherë një neurolog, një ortoped dhe disa kirurgë”.
Piu nga gota e tij. “Po përpiqem t’i bie shkurt” – tha. “Kështu që, i futëm të dy në sallën e operacionit dhe punuam si të mallkuar shumicën e natës. Ata të dy kishin rezerva të jashtëzakonshme. E shihni këtë një herë për një kohë të gjatë. Kështu që bëmë gjithçka që mund të bëhej dhe në mëngjes parashikuam për ta një shans pesëdhjetë me pesëdhjetë, ndoshta më pak se kaq për gruan. Pra, ja ku janë, të gjallë mëngjesin tjetër. Në rregull, i zhvendosëm në kujdesin intensiv dhe të dy, për dy javë, ishin të lidhur për aparate, duke u bërë më mirë në të gjitha fushat. Ndaj, i transferuam në dhomat e tyre”. Melli pushoi së foluri. “Tash” – tha ai, “ta pimë me fund këtë xhin të lirë. Atëherë do të shkojmë për darkë, apo jo? Teri dhe unë e dimë një lokal të ri. Atje do të shkojmë, tek ai lokal i ri që e dimë. Por, nuk do të shkojmë derisa ta përfundojmë këtë xhin të lirë e të keq”.
Teri tha: “Në fakt, ende nuk kemi ngrënë atje. Por, duket mirë. E dini pra, nga jashtë”.
“Më pëlqen ushqimi” – tha Melli. “Nëse do ta nisja jetën sërish, a e dini se më me qejf do të bëhesha kuzhinier? Apo jo Teri?” – pyeti Melli. Ai qeshi. E lëvizi me gisht akullin në gotë. “Teri e di” – tha ai. “Teri mund t’jua thotë. Por, më lini ta them këtë. Nëse do të mund ta nisja sërish një jetë tjetër, në një kohë dhe gjithçka tjetër, e dini çka? Do të doja të kthehesha si kalorës. Ishe goxha i sigurt i veshur me gjithë atë mburojë hekuri. Ishte mirë të ishe kalorës derisa nuk erdhën baruti, musketat dhe revolet”.
“Melli do të donte të kalëronte dhe ta mbante ushtën” – tha Teri.
“Ose një femër” – tha Melli.
“Turp të kesh” – tha Laura.
“Bujkrobërit kurrë nuk e kishin mirë” – tha Melli. “Por, mendoj se edhe kalorësit ishin veselë të dikujt. A nuk ishte kjo mënyra se si shkonin gjërat? Atëherë të gjithë ishin veselë të dikujt. Apo jo? Teri? Por, pos zonjave të tyre, ajo që më pëlqen te kalorësit është se e kishin atë mburojë të hekurt pra, dhe nuk mund të lëndoheshin lehtë. Asnjë veturë në atë kohë, e kuptoni? Asnjë tinejxher i dehur për t’ju mësyrë e copëtuar”.
“Vasalë” – tha Teri. “Quheshin vasalë, jo veselë”.
“Vasalë, veselë” – tha Melli, “ku është dallimi? E dije se çfarë doja të thosha. Në rregull” – tha Melli. “Pra, nuk jam i shkolluar. I kam mësuar gjërat e mia. Natyrisht, jam kirurg i zemrës. Por, thjesht, jam mekanik. Futem, sillem e pështillem dhe rregulloj gjëra. Djalli ta hajë!” – tha Melli.
“Modestia nuk të shkon” – tha Teri.
“Është thjesht një kirurg i përulur” – thashë. “Por, Mell, nganjëherë ata ngufateshin në gjithë atë mburojë hekuri. Ata kishin madje sulme zemre nëse bëhej shumë nxehtë dhe ishin të lodhur e të rraskapitur. Kam lexuar diku se binin nga kuajt dhe se nuk mund të ngriheshin meqë ishin shumë të lodhur për t’u çuar me gjithë atë mburojë në trup. Ndonjëherë u shkelën nga kuajt e tyre”.
“Kjo është e tmerrshme” – tha Melli. “Është e tmerrshme Nik. Them se rrinin të shtrirë dhe prisnin derisa të vinte dikush për të bërë qebapë nga ta”.
“Ndonjë vesel tjetër” – tha Teri.
“Po pra” – tha Melli. “Ndonjë vasal do të vinte dhe do ta shponte bastardin me shtizë, në emër të dashurisë. Ose për çfarëdo tjetër që luftonin atë kohë”.
“Për të njëjtat gjëra që luftojmë në të sotmen” – tha Teri.
Laura tha: “Asgjë nuk ka ndryshuar”.
Ngjyra ishte akoma e ndeztë në faqet e Laurës. Sytë e saj ishin të ndritshëm. E afroi gotën te buzët e saj.
Melli ia qiti vetes edhe një pije. Shikoi nga afër etiketën, sikur po studionte një rresht të gjatë numrash. Pastaj e vendosi ngadalë shishen poshtë në tavolinë dhe ngadalë e kapi ujin e gazuar.
“Po çfarë ndodhi me çiftin e vjetër?” – pyeti Laura. “Nuk e përfundove tregimin që e nise”.
Laura kishte probleme për ta ndezur cigaren. Shkrepëset e saj vazhdimisht fikeshin.
Drita e Diellit brenda dhomës tash ishte ndryshe – duke u ndryshuar, duke u bërë më e dobët. Por, gjethet jashtë dritares ende valëviteshin, e unë e shikoja modelin që kishin bërë në dritare dhe në banakun e drunjtë. Natyrisht, nuk ishin të njëjtat modele.
“Çka ndodhi me çiftin e vjetër?” – pyeta.
“Të vjetër, por më të zgjuar” – tha Teri.
Melli ia nguli sytë.
Teri tha: “Vazhdo zemër tregimin tënd. Bëra shaka. Çfarë ndodhi pastaj”?
“Ndonjëherë Teri” – tha Melli.
“Të lutem Mell” – tha Teri. “I dashur, mos u bëj përherë kaq serioz. A nuk mund ta pranosh një shaka”?
E mbante gotën dhe e shikonte pa nda gruan e tij.
“Çka ndodhi?” – tha Laura.
Mell e zhvendosi shikimin kah Laura. Ai tha: “Laura, po mos ta kisha Terin e po mos ta doja kaq shumë, dhe po të mos ishte Niku shoku im më i mirë, do të dashurohesha në ty e do të të vidhja zemër”, tha ai.
“Vazhdoje rrëfimin” – tha Teri. “Atëherë do të shkojmë tek ai lokali i ri, në rregull”?
“Mirë” – tha Melli. “Ku mbeta?” – tha ai. Shikoi tavolinën dhe ia nisi sërish.
“Çdo ditë ndalesha ta shihja secilin prej tyre, ndonjëherë dy herë në ditë nëse bëja kontrolle të tjera. Me gips dhe fasha që të dy, që nga koka e deri te këmbët. E dini, e keni parë këtë nëpër filma. Kështu dukeshin ata, si në filma. Vrima të vogla për sy, për hundë dhe për gojë. Dhe, asaj i duhej t’i mbante këmbët varur. Epo, burri ishte më i dëshpëruar. Edhe kur e kuptoi se gruaja e tij do t’ia dilte mbanë, ai vazhdonte të ishte i dëshpëruar. Por, jo për aksidentin. Dua të them që aksidenti ishte një gjë, por nuk ishte gjithçka. E dini çka, afrohesha te vrima e gojës së tij dhe ai do të thoshte se jo, se nuk ishte fjala për aksidentin, por sepse nuk mund ta shihte atë përmes vrimave për sy. Ai tha se kjo ishte ajo që po e bënte të ndihej kaq keq. A mund ta paramendosh? Unë po jua them, zemra e burrit thyhej sepse ai nuk mund ta kthente atë dreq koke dhe ta shihte atë dreq gruaje”.
Melli shikoi rreth tavolinës dhe tundi kokën për atë që do të thoshte. “Dua të them se kjo po e vriste atë plak, veç pse nuk mund ta shihte atë dreq gruaje”.
Të gjithë e shikuam Mellin.
“A e kuptoni atë që po e them?” – tha ai.
Ndoshta atëherë ishim pak të dehur. E di se ishte e vështirë ta ruaje përqendrimin te këto gjëra. Drita po ikte nga dhoma, duke u kthyer nëpër dritaren nga ku u fut. Megjithatë, askush nuk e bëri asnjë lëvizje për t’u ngritur nga tavolina e për ta ndezur dritën mbi kokat tona”.
“Dëgjo” – tha Melli. “Ta përfundojmë këtë xhin të keq. Ka mbetur mjaft sa edhe për nga një gotë, për secilin. Pastaj do të dalim të hamë. Do të shkojmë tek ai lokali i ri”.
“Ai është në depresion” – tha Teri. “Mell, pse nuk e merr pilulën”?
Melli tundi kokën. “I kam pirë të gjithat që ishin”.
“Dikur të gjithë do të kemi nevojë për pilula” – thashë.
“Disa njerëz lindin për të pasur nevojë për to” – tha Teri.
Ajo e përdorte gishtin për të fshirë diçka në tavolinë. Pastaj ndaloi së fërkuari.
“Them se dua t’i thërras fëmijët” – tha Melli. “A keni diçka kundër ju? Do t’i thërras fëmijët e mi”.
Teri tha: “Po sikur Marxhoria të lajmërohet në telefon? Njerëz, ju na keni dëgjuar teksa flisnim për temën Marxhori? I dashur, ti e di që nuk ke qejf të bisedosh me Marxhorinë. Do të të bënte të ndiheshe edhe më keq”.
“Nuk dua të flas me Marxhorinë” – tha Melli, “por dua të flas me fëmijët e mi”.
“Nuk kalon një ditë që Melli të mos thotë se sa do që ajo sërish të martohet. Ose të vdes” – thotë Terri. “Por, një gjë dihet” – thotë Teri, “ajo po na falimenton. Melli thotë se për inat të tij ajo nuk do të martohet sërish. E ka një të dashur me të cilin jeton, bashkë me fëmijët, kështu që Melli po e mbështet edhe të dashurin e saj”.
“Ajo është alergjike në bletë” – thotë Melli. “Nëse nuk lutem që të martohet sërish, lutem që të thumbohet për vdekje nga një luzmë e bletëve të mallkuara”.
“Turp të kesh” – tha Laura.
“Bzzz…” – tha Melli, duke i kthyer gishtat në bletë dhe duke gumëzhitur nëpër fytin e Terit. Pastaj i tërhoqi duart tek ana e tij. “Ajo është e mbrapshtë” – tha Melli. “Ndonjëherë mendoj të shkoj atje, i veshur si bletar. E dini si, me atë kapelë që është si helmetë me rrjetën që zbret poshtë fytyrës, me dorëzat e mëdha dhe mbulesën e gjatë? Do të trokisja në derë dhe do të lëshoja një koshere bletësh në shtëpi. Por, natyrisht, së pari do të sigurohesha që fëmijët janë jashtë”.
E vuri njërën këmbë mbi tjetrën. Dukej se i duhej kohë për ta bërë këtë. Pastaj i vuri të dyja këmbët në dysheme dhe u përkul përpara, me bërrylat mbi tavolinë e mjekrën e tij të mbërthyer nga duart. “Mbase nuk do t’i telefonoj fëmijët. Ndoshta nuk është ide aq e mirë. Ndoshta, thjesht, do të shkojmë të hamë. Si ju duket kjo”?
“Më duket mirë” – thashë. “Të hamë apo të mos hamë. Apo të vazhdojmë të pimë. Mund të duroj deri në muzg”.
“Çfarë do të thotë kjo, i dashur?” – pyeti Laura.
“Do të thotë ajo që thashë” – i thashë. “Do të thotë se mund të vazhdoj. Kjo është e tëra që e mendova”.
“Unë do të haja diçka” – tha Laura. “Nuk besoj se ndonjëherë në jetë kam qenë më e uritur se tash. A ka diçka për të grimcuar.
“Do të vë ca djathë dhe biskota të njelmëta” – tha Teri.
Por, Teri rrinte ulur. Nuk u çua për të marrë asgjë.
“Melli e ktheu gotën e tij. E derdhi në tavolinë.
“Xhini mbaroi” – tha Melli.
Teri tha: “E çka tash”?
Mund ta dëgjoja zemrën duke rrahur. Mund ta dëgjoja zemrën e secilit. Mund ta dëgjoja zhurmën njerëzore që e bënim kur askush nuk po lëvizte, madje edhe kur dhoma nisi të errësohej. /Revista “Akademia”/Telegrafi/