Opozita pas një periudhe të gjatë kohore ka filluar t’i kthehet punës së Komisioneve parlamentare. Komisioni parlamentar për Stabilizim-Asocim ka mbajtur një ditë më parë mbledhjen, ndërsa në të kanë marrë pjesë edhe partitë opozitare.
Në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosjes Frashër Krasniqin ka thënë se pjesëmarrja e deputetëve të VV-së në këtë seancë do të varet nga përmbajtja e rendit të ditës.
“E kemi thënë edhe më herët, do të largohemi nga Kuvendi me mundësi që të kthehemi në seancë në rast se sillen Zajednica dhe Demarkacioni, apo ndonjë rast tjetër që ne besojmë që është shumë i rëndësishëm”, tha Krasniqi duke shtuar se do ta diskutojnë në prag të seancës nëse do të marrim pjesë ose jo.
Ndërsa, deputetja e Nismës për Kosovën Valdete Bajrami tha për Telegrafin se qëllimi i pjesëmarrjes së tyre është ecja përpara në proceset integruese.
Sipas saj, më 16-17 maj, do të mbahet seancë e grupit dhe e Komisionit parlamentarë.
“Është seancë e Grupit dhe e Komisionit parlamentar, që ka të bëjë me marrëveshjen për MSA-në dhe pjesëmarrjen e ekipit të eurodeputetëve, të cilët do të jenë këtë muaj në Kosovë. Prezent do të jenë Johanes Hahn dhe Federica Mogerini”, ka thënë ajo për Telegrafin, duke pohuar pjesëmarrjen e tyre.
Ndryshe, mbledhja e komisionit të parë parlamentar për Stabilizim-Asocim është mbajtur të martën, ku është miratuar projekt agjenda për seancën parlamentare më 16 dhe 17 maj, ku të ftuar janë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Johanes Hahn dhe Federica Mogerini. /Telegrafi/