Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, ka thënë se Kosova ende nuk ka mekanizma që merren me hulumtimin e shkaqeve të aksidenteve.
Dedaj në intervistë për Telegrafin, me gazetarin Muhamet Hajrullahu, thotë se programet e tilla zhvillohen gjatë tërë vitit e jo me task-forca.
“Deri më tani, ende nuk ka mekanizma institucional që merren më hulumtimin e shkaqeve të aksidenteve. Ekziston vetëm Këshilli i Sigurisë në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës që aty është vetëm drejtori. Ky këshill ka buxhet vetëm 15 mijë euro”, ka thënë Dedaj.
Ai ka treguar se mungesa e një mekanizimi të tillë është një problem i hershëm. Zbatimi i ligjit dhe programeve të sigurisë e kanë një ndryshim shumë ta madh, për shkak se Policia e Kosovës nuk zhvillon programe sepse nuk ka para, nuk identifikon probleme të faktorit të cilët shkaktojnë aksidente.
Dedaj thotë se secila komunë në Kosovë duhet ta bëjë planin operativ të aksidenteve.
“Task-Forca është ndryshim i lokacionit të policëve të trafikut, shkuarja prej një regjioni në një regjion tjetër apo ndihmesa e një regjioni, këto nuk janë programe zhvillimore. Programet zhvillohen gjatë tërë vitit me hapa konkret dhe intervale kohore. Secila komunë në Kosovë duhet ta bëjë planin operativ të aksidenteve, por kjo duhet të ketë një mbështetje institucionale”, tha Dedaj./Telegrafi