Site icon Telegrafi

Për “bisedime” duhet kushtëzuar bashkësia ndërkombëtare dhe Serbia

Jo bisedime, pa SHBA-të (si garantuese) dhe BE-në si ndërmjetësues, me përfaqësuesit e tyre që vijnë nga shtetet që e kanë njohur Kosovën.
Jo bisedime nëse pala serbe nuk dakordohet me agjendën e pranuar nga pala kosovare para nisjes së bisedimeve!

Institucionet e reja të Kosovës duhet të kenë parasysh në atë se ç’farë mund të ndodhë përgjatë bisedimeve me Serbinë. Pa marrë parasysh agjendën e bisedimeve, duhet të kërkohet garanci dhe ndërmjetësim të SHBA-ve si njohëse dhe kontribuuese për Pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Po ashtu edhe ndërmjetësim nga BE-ja, përfaqësuesit e së cilës duhet të vijnë nga shtetet, që tani më e kanë njohur Kosovën. Kjo, në mënyrë që të shmanget çfarëdo tendence për të tjetërsuar agjendën e bisedimeve.

Parlamenti i Kosovës duhet patjetër të nxjerr një rezolutë, ku do të qartësojë rolin e vet dhe pikat për të cilat është e gatshme të bisedoj, po ashtu edhe VIJEN E KUQE!, pas së cilës nuk mund të shkohet. Në këtë rezolutë po ashtu duhet të kërkohet garanci ndërkombëtare (nga shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën ) për ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit. Dhe se çfarëdo tendence për të tejkaluar VIJEN E KUQE, të kushtëzohet me dalje të palës kosovare nga bisedimet.

Pra një ndër kushtet që Kosova duhet t’ia paraqes bashkësisë ndërkombëtare për tu futur në “bisedime” duhet të jetë që në asnjë mënyrë apo rrethanë të mos tentohet të vihet në diskutim çështja e statusit të Kosovës, apo çështja e Mitrovicës së veriut (të mos diskutohet për asnjë lloj statusi special të përfolur të mundshëm). Nëse pala serbe tenton të imponojë bisedime për çështje të tilla, atëherë pala kosovare duhet të pezullojë pjesëmarrjen ose tërheqjen e plotë nga këto bisedime.

Pasi të kemi këtë garanci, që në këto “bisedime” nuk do të flitet për “kontestimin” e Pavarësisë dhe tërësisë territoriale, por edhe pasi që pala serbe do të bie dakord paraprakisht me agjendën e bisedimeve, atëherë mund të futemi ne bisedime për çështje teknike dhe të interesit të përbashkët të të dyja vendeve, si vende fqinjë drejt një rruge të përbashkët edhe me shtetet tjera të Ballkanit, si fqinjë të mirë në Evropën e bashkuar.

(Autori është magjistër i Historisë dhe zyrtar për Integrime Evropiane)

Exit mobile version