Site icon Telegrafi

Për 7 muaj, pesë të vdekur në vendin e punës

Uliks Bicurri, nga komuna e Gjakovës, gjatë javës së kaluar fatkeqësisht ka humbur jetën derisa po punonte në vendin e tij të punës. Ai ishte punëtor i KEDS-it dhe derisa po punonte në Kodrën e Becit të komunës së Gjakovës, gjatë një intervenimi është vënë në kontakt me rrymën dhe si pasojë ka mbetur i vdekur.

I ndjeri Bicurri ka qenë edhe ish-pjesëtar i UÇK-së.

Mimoza Shala, e cila ka qenë bashkëluftëtare me Uliksin, ka thënë për “Zërin” se Uliksin gjeti vdekjen duke ushtruar profesionin e vet. “Është një humbje e madhe për neve, por edhe për Kosovën. Uliksi ka qenë një njëri që ka dhënë kontributin e tij për këtë vend. Pas luftës ka qenë edhe ushtar i TMK-së, por pas shpërbërjes së TMK-së Uliksi filloi të ushtrojë profesionin e vet pasi që ka pasur të kryer edhe shkollën e lartë të Elektroteknikës, por qysh në moshën 39-vjeçare, duke ushtruar edhe profesionin e vet e gjeti edhe vdekjen”, ka thënë ajo.

Pesë persona për shtatë muaj kanë humbur jetën duke punuar në vendet e tyre të punës, derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak numri i të vdekurve në punë ka qenë 7.

Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës, numri i rasteve të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës ka shënuar rënie gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti. Sipas këtyre të dhënave, rënie ka shënuar edhe numri i rasteve të lëndimeve në vendin e punës.

Agim Millaku, zëvendëskryeinspektor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë se gjatë shtatë muajve të këtij viti ka më pak raste të vdekjes së punëtoreve dhe më pak raste të të lënduarve në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. /Telegrafi/

Exit mobile version