Telegrafi

Për 30 vite jeton në ishullin e braktisur, e di mirë çfarë është izolimi – italiani ka disa këshilla për të gjithë se si t’i kaloni ditët të mbyllur në shtëpi

Tash e 30 vite, Mauro Morandi është banori i vetëm i ishullit të bukur të Mesdheut. Një pjesë të madhe të jetës e ka kaluar i vetmuar dhe i zhytur në mendime, e di mirë se si është të jetohet në izolim, që tani po e aplikon bota në luftën kundër coronavirusit.

Morandi, një ish-mësues, kishte mbërritur në ishullin Budelli jo larg Sardenjas krejt rastësisht, kur deshi të notojë nga Italia në Polinezi 31 vite më parë, transmeton Telegrafi.

Ai ra në dashuri në natyrën e paprekur dhe ujin e kristaltë, kështu vendosi të qëndrojë aty. Edhe sot e kësaj dite është i vetmi banor, tani që ka mbushur 81-vjet me të drejtë e quajnë Robinson Cruzo i Italisë.

Budelli është pjesë e parkut nacional të arkipelagut Madalen, dhe një nga shtatë “motrat” e ishujve që e bëjnë këtë pjesë të Italisë në Sardenja tepër të bukur. “Motrat tjera të arkipelagut janë Madalena, Kaprrera, Santo Stefano, Santa Maria dhe Racoli. Plazhi më i bukur në arkipelag gjendet pikërisht në këtë ishull të cilin Mauro e ka përzgjedhur si shtëpinë e tij.

Çdo natë Morandi flenë në shtëpizën e ndërtuar prej gurit të vjetër, kurse shpesh flet me zogjtë që vazhdimisht e vizitojnë. Pavarësisht të gjithave, ai ka arritur të informohet edhe për atë se çfarë po ndodh nëpër botë për shkak të pandemisë së coronavirusit. E pikërisht kjo e ka bërë ta kuptojë se është në vendin më të sigurtë në botë.

“Jam shumë mirë, nuk jam i frikësuar. Këtu po ndihem shumë i sigurtë. Ishulli ofron mbrojtje të mjaftueshme, askush nuk ndalet, nuk e kam parë as edhe një anije”, ka deklaruar ai për CNN.

Megjithatë është i brengosur për familjarët dhe miqtë për të cilët thotë se nuk e kanë të lehtë. E vetmja gjë që sipas tij ka ndryshuar, është që po i duhet të presë më shumë që t’ia sjellin ushqimin, por edhe ato pak vizita që i kishte nga turistët janë ndalur.

Me krenari e thotë se është vetëm, thith ajër të pastër, mbledh dru, përgatit i vetëm ushqimin por edhe publikon fotografi të bukura në Instagram, pasi që ka një telefon që është e vetmja lidhje me botën e jashtme.

“Nganjëherë mërzitem dhe për këtë e kaloj kohën duke fotografuar natyrën, kam mjaft ndjekës”, ka shtuar Morandi.

E të gjithë ata që sot janë në izolim për shkak të coronavirusit, i ka disa këshilla. Thotë se izolimi disa javor nuk është diçka për të cilin duhet brengosur – përkundrazi, sipas tij është një mënyrë e mirë për ta njohur më mirë veten.

Por, edhe pse është në Mesdhe, dimri shpesh është i ashpër – ku temperaturat bien dukshëm shumë.

“Disa muaj më duhet t’i kaloj i mbyllur në shtëpizë, kështu që nuk janë asgjë dy javë izolimi. Lexoj dhe mendoj mjaft shumë. Njerëzit i frikësohen leximit, sepse tani fillojnë të mendojnë për gjëra të ndryshme, e kjo mund të jetë e rrezikshme. Nëse nuk i merrni gjërat nga një kënd tjetër, ekziston mundësia që mos t’iu pëlqej jeta që e bëni”, ka shtuar ai.

E pasi që për 25 vite u përkujdes për Budellin, pastroi plazhin dhe largoi plastikën dhe mbetjet tjera që i lënin turistët, ai pati rastin të “njihet” me çdo gurë e bimë, kështu parku nacional mori vendim që t’ia zgjat qëndrimin në këtë ishull.

E për të qenë të sigurtë se do të mund të vazhdojë jetën në këtë plazh të cilën e njeh më mirë se kushdo tjetër, opinioni publik ka dalë në anën e tij duke mbledhur më shumë se 18 mijë nënshkrime, duke u bërë presion politikanëve lokale që me këtë peticion të hiqet dorë nga ideja e largimit të tij nga ishulli.

“Kurrë nuk do të largohem nga ishulli. Shpresoj që trupin do të ma djegin dhe hirin do ta hedhin në erë”, ka shtuar për fund Morandi. /Telegrafi/