Edhe kjo fundjavë ka patur një fluks të madh të lëvizjes së pushuesve kosovarë drejt bregdeti shqiptar. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në Doganën e Morinës kanë kaluar 46 mijë shtetas kosovarë.
Në këto kushte edhe trafiku është i rënduar në aksin Morinë-Kalimash, ku shpesh herë nuk mungojnë edhe aksidentet. Më i fundit u shënua këtë të shtunë, por fatmirësisht vetëm me dëmtime të automjeteve.
Të dhënat e policisë flasin për një numër të vogël të aksidenteve në Rrugën e Kombit, nga 1 qershori deri në mesin e muajit gusht dhe asnjë me pasojë jetë njerëzish.
“Aktualisht rruga është nën ndikimin e masave të marra për shkelësit e rregullave, por edhe prania e policisë ka bërë që numri i aksidenteve të bjerë”, ka deklaruar Sokol Zefi, shef i sektorit rrugor në Policinë e Kukësit.
Sipas të dhënave të policisë rrugore, gjatë kësaj periudhe kohore në akset rrugore të qarkut Kukës kanë ndodhur gjashtë aksidente dhe janë vendosur 2.768 masa administrative, ndërsa janë pezulluar 13 leje drejtimi.