Vitin e kaluar përmbaruesit me detyrim kanë paguar gati 160 milionë euro. Kjo është shuma e dytë më e madhe në karrierën e tyre 18-vjeçare, pas vitit rekord të 2017-ës, kur me pagesë kaluan 166 milionë euro, tregojnë të dhënat e Odës së Përmbaruesve, mbi të cilat portali “Pari” bëri këto përllogaritje.
Vitin e kaluar kishte 93 përmbarues me 327 të punësuar, ndërsa në vitin 2008 kishte 54 përmbarues me 231 të punësuar. Vitin e kaluar, numri i përgjithshëm i kërkesave për përmbarim të pranuara në zyrat e përmbarimit ishte 170.325. Numri i lëndëve të përfunduara ishte 76.572.
Sipas strukturës së kreditorëve, përmbaruesit në favor të shtetit në vitin 2023 kanë arkëtuar gjithsej 4.3 milionë euro, në ekonomi kanë shkuar gjithsej 132.3 milionë euro, ndërsa qytetarët kanë marrë 25 milionë euro.
Sipas strukturës së debitorëve, përmbaruesit në vitin 2023 kanë grumbulluar më së shumti para nga persona të ndryshëm juridikë, mbi 90.3 milionë euro. Më pas nga personat fizikë 41,9 milionë euro dhe nga Republika e Maqedonisë 29,5 milionë euro.
Oda e Përmbaruesve është themeluar në vitin 2006 dhe sipas të dhënave të saj në 18 vite janë grumbulluar gati 2 miliardë euro./Telegrafi/