Vetëm gjatë 10 muajve të parë të këtij viti të gjitha bankat komerciale që operojnë në vendin tonë kanë arritur ta realizojnë një fitim të pastër prej hiç më pak se 75.7 milionë euro, apo rreth 200 mijë euro më shumë se gjatë gjithë vitit që lamë pas.
Po ashtu gjatë kësaj periudhe kohore afarizëm të suksesshëm kanë pasur edhe kompanitë e sigurimeve, por edhe institucionet mikrofinanciare në vend, derisa këto të fundit gjatë viteve paraprake vitin e kishin përmbyllur me bilanc negativ.
Duke u bazuar në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, i cili është publikuar më 4 dhjetor, shihet se të hyrat e bankave gjatë 10 muajve të parë të këtij viti kanë qenë 201.9 milionë euro e ku nga kjo shumë 147.1 milionë euro kanë qenë të hyra nga interesi, derisa në anën tjetër gjatë kësaj periudhe kohore shpenzimet kanë arritur në 126.2 milionë euro, ku nga kjo shumë 14.1 milionë euro janë shpenzime të interesit, derisa 84.1 milionë euro janë shpenzime gjenerale administrative.
Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të BQK-së, shihet se deri në fund të muajit tetor të këtij viti shuma e kredive nëpër bankat komerciale në vend ka arritur në 2 miliardë e 430 milionë euro, ku 881 milionë euro janë kredi për ekonomi familjare, derisa pjesa tjetër prej 1 miliard e 543 milionë euro janë kredi për bizneset. Sipas të dhënave zyrtare, shihet një rritje e kredive prej 10,6 për qind. /Zëri/Telegrafi/