Sot (e shtunë) në mbarë botën kremtohet 1 qershori, që ndryshe njihet edhe si Dita e Fëmijëve.
Me këtë rast, fëmijët anë e kënd globit po kalojnë një ditë të veçantë, të shënuar me shumë aktivitete siç rëndom ndodh çdo vit në këtë datë.
Edhe në Kosovë me këtë rast janë përgatitur organizime të veçanta për të vegjlit, teksa këtë festë ua kanë uruar fëmijëve edhe disa prej fytyrave publike.
Aktorja e njohur nga Gjilani, Adriana Matoshi, e cila është e njohur për publikun më shumë si ‘Sasa’ e hit serialit “O Sa Mirë”, ka befasuar fëmijët e sëmurë në spital, me një vizitë të sajën.
Ajo ka shkuar bashkë me disa maskota të personazheve të njohur nga filmat e animuar, për t’u dhënë buzëqeshje fëmijëve që këtë ditë po e festojnë në shtratin e spitalit.
Adriana ndau me ndjekësit e saj në rrjetin social Facebook disa fotografi nga ky aktivitet.
“Urime 1 qershori krejt fëmijëve, e posaçërisht atyre që e kanë vetëm një dëshire-shëndetin! Nuk e kam të natyrës me publiku fotografi të tilla, por e kam edhe lejen e prindërve dhe e di që thellë në shpirt jemi të ndjeshëm dhe human. Duke e parë situatën ku po jetojmë, dëshira ime është të mobilizohemi e të ndihmojme me aq sa kemi mundësi”, ka shkruar Matoshi.
Ndërkohë, nga fotografitë e publikuara shihet se edhe fëmijët janë lumturuar pa masë me prezencën e aktores së tyre të preferuar. /Telegrafi/