Telegrafi

Pep Guardiola i bën lutje yllit të ekipit që të qëndrojë tek Manchester City

Pep Guardiola është i etur që portieri Ederson të mbetet tek Manchester City mes interesimit të madh nga klubet arabe.

Ederson është lidhur fortë së fundmi me një kalim tek Al-Ittihadi ndërsa vet lojtari besohet se ka favorizuar kalimin në Lindjen e Mesme.

Më herët ishte raportuar se Ederson është i zhgënjyer nga lëvdatat që ka marr kolegu i tij Stefan Ortega pas lëndimit të brazilianit, që bëri që ai të mbetet jashtë fushave në fazën e fundit të sezonit.

Përkundër kësaj, Guardiola ka thënë se shpreson që ta mbajë Edersonin në ekip.

“Unë shpresoj me gjithë zemrën time se Eddie do të vazhdojë me ne. Do të doja që ai të qëndronte. Nuk mund ta imagjinoj suksesin tonë në këto vitet e fundit pa të. Ai është një figurë e rëndësishme në zhveshtore”, ka thënë Guardiola.

Që prej se u transferua në Angli nga Benfica në 2017, Ederson ka fituar në total 17 trofe me fanellën e ‘Qytetarëve’, duke përfshirë gjashtë tituj të Ligës Premier, një Ligë të Kampionëve, një Kupë të Botës për Klube, dy FA Cup dhe katër Kupa të Ligës.

Në rast largimi në drejtim të Arabisë Saudite, Ederson do të largohej nga klubi si njëri prej lojtarëve më të dekoruar në historinë e tyre.

Nëse Ederson finalizon kalimin tek Al-Ittihadi, ai do t’i bashkohej disa ish-yjeve të futbollit evropian si Karim Benzema, Moussa Diaby dhe N’Golo Kante./Telegrafi/