Telegrafi

Penti Prishtina fiton Kupën e Kosovës

Skuadra e Penti Prishtinës e drejtuar nga trajneri Fidan Shatri, ka arritur që ta kthejë kupën e Kosovës në kryeqytet duke e mposhtur mbrojtësen e trofeut, Penzën, në finale me katër pikë dallim 81-77.

Derisa pjesa e parë i takoi ekipit prishtinas, Penza shfaqi shenja këndelljeje në çerekun e tretë dhe afroi shumë lojën në fund, por prapëseprapë në fund bardhakaltërat ruajtën epërsinë për të triumfuar, transmeton Borozani.

Kapitenja Arbnore Përquku ka qenë fantastike në këtë ndeshje. Ajo nuk ka pushuar për asnjë sekondë, duke luajtur 40 minuta dhe duke shënuar 23 pikë, 7 kërcime e 8 asistime për skuadrën.

Kontribut të rëndësishëm dha edhe Zërina Shatri me 20 pikë e 12 kërcime, ndërsa Gentiana Ismaili shtoi 14 pikë të tjera në fitore.

Te Penza, rezistencë më të madhe dhanë Irma Konjusha me 25 pikë, 10 kërcime e 7 asistime. Pastaj Jeta Zeka me 17 pikë e Saranda Daci me 13 të tjera, që nuk mjaftuan për të mbrojtur titullin.