Pentagoni thotë se të gjitha objektivat janë goditur me sukses nga sulmet ajrore nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dana White, ndihmës sekretarja e Mbrojtjes për marrëdhënie me publikun ka thënë se sulmet u kryen për të “ulur aftësitë e Sirisë për përdorimin e armëve kimike në të ardhmen”.
“Sulmet nuk paraqesin ndryshime në politikën e SHBA-së apo përpjekje për të përmbysur regjimin sirian. Por, ne nuk mund të lejojmë shkelje të tilla të rënda të së drejtës ndërkombëtare”, tha White, përcjell Telegrafi.
Ajo i kërkoi Rusisë të “respektojë angazhimin e saj” për të siguruar që regjimi i Bashar al-Asadit të braktisë armët kimike.
Në përgjigje të sulmit të armëve kimike në Duma më 7 prilli, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca bombarduan disa objektiva të regjimit të Asadit në Damask dhe Homs të Sirisë. /Telegrafi/