Telegrafi

Pentagoni dëshiron vazhdimin e bashkëpunimit me Rusinë për Sirinë

Ushtria amerikane dëshiron që me Rusinë të vazhdojë këmbimin e informacioneve për operacionet në Siri, në mënyrë që të shmangen incidentet, njoftuan burime të afërta me Pentagonin.

Duke reaguar ndaj veprimit amerikan në Siri, Rusia sot njoftoi për ndërprerjen e marrëveshjes me SHBA për shmangien e incidenteve në hapësirën ajrore të Sirisë, transmeton KosovaPress.

Sipas memorandumit të nënshkruar pas fillimit të sulmeve ajrore ruse në Siri në vitin 2015, Rusia dhe SHBA kanë shkëmbyer informacione lidhur me fluturimet për t’iu shmangur incidenteve.

Marrëveshja ka mundësuar vendosjen e komunikimeve direkte të komandove qendrore të SHBA dhe Rusisë në Siri.

Një zyrtar i paemëruar i Pentagonit deklaroi se SHBA dëshirojnë vazhdimin e bashkëpunimit me qëllim të shmangies së incidenteve dhe shpresojnë se Ministria e Mbrojtjes ruse do të arrijë deri tek i njëjti përfundim.