Telegrafi

Pensionisti që hapi kroje në Gërmi, thotë se ky vend ka ujë për tërë Prishtinën (Video)

Njihen si “Mushkëritë e Prishtinës”, por malet e Gërmisë, përveç bukurisë, në vete ngërthejnë edhe shumë histori.

Në mesin e atyre që dalin për të kaluar pak kohë në natyrë e që e bëjnë atë për çështje shëndetësore, është edhe pensionisti Riza Fazliu, raporton “038” i KTV-së.

Pensionisti vizitat e tij nga viti 1964 i kujton edhe për punë e hulumtim përtej shtigjeve të Gërmisë. Ai pohon se këtu uji ka qenë i pranishëm gjithmonë, madje se ka edhe për furnizimin e qytetit.

Edhe kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pati insistuar që këtu të hapen puse për të furnizuar qytetin me ujë.

Por, propagandat thotë se nuk e ndalën dhe bashkë me shokët e tij, Veli Teverlanin dhe Faik Krasniqin, hapën kroje të reja. Një nga to ishte në vendin ku tani u ndërtua qendra rekreative.

Parku i Gërmisë përveç ujit, ka edhe diçka tejet të veçantë. Këtu ka shumë lloje të drunjve që janë unikë. Masivi malor i Gërmisë paraqet një pasuri natyrore shumë të rëndësishme jo vetëm për Prishtinën e rrethinën, por edhe për tërë Kosovën.

Në sajë të pozitës gjeografike, veçorive gjeologjike, pedologjike e kushteve klimatike, masivi malor i Gërmisë është mjaft i pasur si në pikëpamje të florës, vegjetacionit dhe faunës.

Nga hulumtimet e deritashme janë të evidencuara 610 lloje të florës vaskulare të grumbulluara në 82 familje. Prej tyre pesë lloje janë endemike dhe 12 lloje mjekësore.