Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka ndarë mbi 28 milionë euro shtesë në kuadër të Pakos së Inflacionit.
Në këtë ndarje buxhetore do të ndahen 100 eurot e parapara për pensionistët në kuadër të Pakos.
“Në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin, kemi paraparë mbështetjen me shumë të menjëhershme me shumë prej 100 euro për pensionistët tonë”, tha kryeministri Albin Kurti.
Pensionet do të ekzekutohen në mes të muajit.
Ndërsa, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se 28 milionët e ndara janë nga vendimi për ndarjen e këtyre mjeteve, të miratuara kohë më parë.
“Për këtë qëllim është paraparë ndarja prej 28.8 milionë eurove. Duke e konsideruar të rëndësisë së veçantë, propozim-vendimi për këtë kategori të shoqërisë, ju ftoj që ta votoni”, tha Bislimi.
Përveç shtesave për pensionistët, Pakoja parasheh edhe nga 50 euro shtesa në muaj për punëtorët e sektorit publik deri në fund të vitit dhe shumë të përnjëhershme prej 100 eurosh për studentët. /Telegrafi/