Telegrafi

Pensionistët, nga kriza pësojnë shtesat

Sipas tij, kjo kategori e shoqërisë gjendet në situatë mjaft të vështirë. Kajtazi thotë se ka pasur premtime se gjatë këtij viti, Kuvendi i Kosovës do të miratonte Ligjin për pensionet, në bazë të të cilit të ardhurat e pensionistëve do të rriteshin prej 10 deri në 25 për qind.

“Çështja e pozitës materiale të pensionistëve të Kosovës është bërë si ura e shenjtë. Katër herë është përgatitur ligji. Është përgatitur edhe të pestën herë, por, për fat të keq, nuk është miratuar për shkak të rënies së qeverisë. Pakënaqësia po rritet, gjendja është e vështirë”, tha Kajtazi.

Kriza institucionale dhe rënia e Qeverisë së Kosovës kanë shtyrë miratimin e Ligjit për pensione për vitin e ardhshëm, thotë ministri në dorëheqje i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq. “Ne e kemi përgatitur teknikisht. Ligji rregullon statuset e atyre që kanë paguar kontributet 15 vjet para luftës, rregullon të drejtat në pensionet bazë, por edhe ato familjare dhe të punës”, thotë Rashiq.

Sipas këtij ligji, të ardhurat për pensionistët kontributdhënës do të rriten nga 80 në 100 euro, ndërsa pensionet e pleqërisë nga 45 në 65 euro.

Por, Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik në UP, tha se edhe kjo rritje nuk do ta ndryshonte statusin social të pensionistëve. Shumën që marrin pensionistët, Limani e quan ndihmë sociale. “Ajo që pensionistët kanë marrë deri më tani dhe e marrin tani, nuk paraqet kurrfarë baze të pensionit – ajo paraqet një ndihmë sociale. Kjo vlerë me të vërtetë është shumë simbolike. Nëse një pensionist nuk ka burime të tjera financiare, atëherë shtrohet pyetja se nga mund të sigurojë ekzistencën”, shprehet Limani.

Sipas tij, që nga përfundimi i luftës, pensionistët kanë qenë kategoria më e diskriminuar e shoqërisë. Limani hedh fajin tek institucionet për mungesë vullneti për të zgjidhur çështjen.

“Nuk qëndron arsyeja që nuk kemi mjete buxhetore për të zgjidhur problemin e pensionistëve. Më vite të tëra, buxhetin e Kosovës e përcjell suficiti. Nëse kemi suficit, askush nga qeveria nuk mund të thotë se nuk kemi mjete. Prandaj, nuk është aty problemi, por është te mosgatishmëria që ta zgjidhim këtë problem”, thekson Limani. /Rel/Telegrafi/