Site icon Telegrafi

Pensionistët në protestë në Tiranë, shprehin pakënaqësinë me qeverinë dhe kërkojnë rritje të pensionit

Skema e pensioneve, një çështje e nxehtë në tavolinën e qeverisë, ka nxitur në protestë me dhjetra të moshuar.

Përcaktimi i minimumit jetik, por mbi të gjitha rritja e masës së pensionit sa 3-fishi i pensionit mesatar, janë kërkesat që kanë.

“Jam nga Përmeti dhe kam ardhur për rritje pensioni. Deputetëve u janë rritur 100%, neve 4%. Plus që jemi burrë e grua me 270 mijë lekë nuk ia dalim dot”, thotë njëri prej protestuesve.

“Le t’u rritet rroga policëve, ushtarëve dhe mësuesve, por dhe neve të paktën 50% të pensionit të bëhej rritja”, shprehet një tjetër.

Këto thirrje vijnë në një kohë kur qeveria, së bashku me FMN dhe Bankën Botërore, po hartojnë politika të cilat pritet të shpëtojnë skemën e pensioneve nga kolapsi. Ku një kontribues mbulon 1.19 përfitues.

“Ne kërkojmë rritje pensioni për pensionet e ulëta. Nuk na intereson burgu për politikanët sepse dhe atje në burg, me taksat tona do paguhen”, thekson një nga protestuesit.

Të indinjuar, të moshuarit krahasojnë Shqipërinë me Kosovën, teksa rritjet atje vijuan nga 20 euro deri në 40 euro më shumë, ndërsa një muaj më parë pensionistët shqiptarë përfituan rritje nga 400 lekë deri 800 lekë, në kuadër të indeksimit.

Pensionistët lajmërojnë se protestat do të vijojnë derisa të marrin zgjidhje nga qeveria, përndryshe do të përgjigjen me votë: “Pensionistët kategorikisht do ndëshkojnë me votë këtë qeveri”. /Telegrafi/

Exit mobile version