Site icon Telegrafi

Pensionistët lëshojnë pëllumba para qeverisë, kërkojnë të trajtohen me dinjitet

Me moton “Dinjitet për pensionistët”, Shoqata e Pensionistëve të Kosovës ka organizuar një aksion simbolik para Qeverisë, në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve. 

Ata kanë lëshuar pëllumba para Qeverisë, me mesazhin e vetëm që të kthehet vëmendja tek pensionistët si dhe të trajtohen me dinjitet.

Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi, tha se me këtë mesazh ata kërkojnë që Qeveria e Kosovës t’i trajtojë me dinjitet këtë kategori të lënë pas dore, raporton Telegrafi.

Ai po ashtu tha se përmes pëllumbave duan t’ia përkujtojnë qeverisë se pensionistët janë kategori e njerëzve paqësorë e që nuk shërbehen me dhunë.

“Në vazhdën e këtij tubimi si pikë të parë e kemi bërë demonstrimin para qeverisë për pensionistë. Dhe e kemi çua mesazhin në qeveri, që përmes pëllumbave të cilët simbolizojnë, postierin, paqen, engjëjt t’ia përkujtojmë qeverisë që ne nuk jemi që shërbehemi me dhunë, por me paqe, që të çojmë mesazh te qeveria që ta kthejnë vëmendjen ndaj kategorisë që janë shumë meritor”, ka thënë Gashi.

Gashi po ashtu u shpreh se janë duke kërkuar të drejtat e tyre të merituara.

“Të kërkojmë të drejtat tona, asgjë më shumë e asgjë më pak. Ne do t’i lëshojmë pëllumbat…ky është mesazhi që ia dërgojmë qeverisë për të kthyer vëmendjen ndaj pensionistëve të cilët janë lënë pas dore”, ka thënë Gashi. /Telegrafi/ 

Exit mobile version