Site icon Telegrafi

Pensionistët kërkojnë që të ndërpritet greva në arsim

Mëngjesin e sotëm pensionistët e Kosovës mbajtën mbledhjen e kryesisë përmes së cilës kërkuan që nipat dhe mbesat e tyre sa më shpejti tu kthehet bankave të shkollës, e greva në arsim të përfundojnë.

Gjyshërit derisa këto greva i konsideruan me prapavijë politike, ata kërkuan që sa më parë të nis dialogu social në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

Sipas tyre nuk është e pranueshme që fëmijët të përdoren si mjet shantazhi.

Ismajl Muqiqi i cili ishte iniciatorë për këtë mbledhje kërkoi që gjatë kësaj jave të nis procesi mësimor, në të kundërtën ai tha se gjyshërit do të detyrohen t’i marrin nipat dhe mbesat t’i dërgojnë para shkollave.

“Mendoj që ne duhet me dal prej këtij forumi me një qëndrim si pensionistë që t’i preferojmë edhe Qeverisë por edhe SBASHK-ut që një afat të caktuar gjatë javës të hapen shkollat dhe të filloj mësimi. Përndryshe, nuk është e tepërt që të gjithë gjyshërit t’i marrin mbesat dhe nipat për dore e t’i dërgojnë në shkollat që janë të regjistruara”, tha ai.

Pensionisti, Asllan Asllani grevën e SBASHK-ut e ka konsideruar me prapavijë, derisa tha se është jo njerëzore që fëmijët të qëndrojnë në shtëpi.

Asllani pati madje edhe propozim konkret për Qeverinë.

“Mëkati i madh që nxënësit tanë të mbesin në rrugë në këtë kohë është një kohë e përshtatshme që ne të ndihmojmë qeverinë që t’i jap fund bisedave me Serbinë, t’i japim fund ashtu si ne dëshirojmë si shtet i pavarur nga Serbia tani të bëjnë greva në këtë kohë sipas meje është me prapavijë. Pse të mbesin fëmijët pa shkua në shkollë? Të gjithë jemi të pakënaqur e pagat dhe rrogat kemi bërë shumë për të ardhur në këtë kohë, ua shoh për të madhe edhe pa njerëzore të gjithë atyre që punojnë në arsim që ngritën për 100 euro dhe fëmija mbesin në rrugë. Propozoj që të japim kontributin tonë edhe nëse është nevoja me shkua me punua pa pare hiq, shkoj e mbaj mësimin pa rrogë, kam punua 10 vite në arsim kurrë nuk jam ankua për asgjë kanë qenë kushte të vështira atëherë iu ka dhënë mundësia me protestë edhe demokracia ka kufi, e jo demokraci me bë çka të duan. Shtatë ditë mos me shkua në punë e ka humb vendin e punës menjëherë e kisha shpall konkursin”, theksoi ai.

Me prapavijë politike dhe të padrejtë e konsideron edhe Avdi Gjonbalaj i cili tha se është gjysh i tre nipave. Gjonbalaj tha se fëmijët nuk duhet të përdoren si mjet shantazhi për të realizuar mësimdhënësit qëllimet e tyre.

“Sikurse të dilnin punëtorët e arsimit dhe të protestonin në orën 18:00 me dal ata pa fëmijët tanë mos me i kushtëzua në shkollim ndoshta u isha bashkangjitur edhe unë për nevojat e tyre. Përndryshe me i përdorë fëmijët si mjet shantazhi është e palejueshme nuk ka demokraci sepse është goditje e demokracisë. Jam gjysh i tre nipave dhe kur i shoh ata duke u sjell tmerri më kap nuk është e lejueshme që ata me i përdor fëmijët tanë dhe me thanë ose na e bënë kështu ose grevë. Prandaj ajo grevë është me prapavijë dhe pastër politike”, tha ai.

Kurse, kryetari i Lidhjes së Organizatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të punës, Njazi Gashi u bëri thirrje Ministrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut që të bisedojnë e të gjejnë zgjidhje.

“Nuk jam pro SBASHK-ut, por nuk jam as pro sjelljes së qeverisë ndaj kësaj situate. Sepse unë mendoj se që të dyja palët e kanë një pjesë e të fajit për këtë situatë. E thërras qeverinë gjegjësisht MASHTI-in dhe SBASHK-un le të ulen të diskutojnë me ditë dhe javë të tëra të bëjnë presione në mënyra të ndryshme ndaj njërit-tjetrit, por jo presione dhe veprime që reflektojnë në dëm të procesit mësimor“, theksoi ai.

Por, jo të gjithë u pajtuan se ata si moshë e shtyrë mund të kenë ndikim në këtë proces. Vehbi Shala përfaqësues nga Peja tha se qeveria është barrikaduar dhe nuk po ofron dialog.

“Çka duhet të bëjmë ne si organizatë e pensionistëve këtë rast, kush na pyet ne…as kërkush nuk merret me ne praktikisht ne vetëm ekzistojmë aq sa kemi frymë se kush ma me ne nuk merret, as që merr parasysh kërkesat tona pa marr parasysh që ato janë të drejta. E dyta që të flasim ne për SBASHK dhe për grevën po më duket se ne mund të shprehim mendimet tona, por nuk mund të ndikojmë fortë. Ajo qeveri është barrikaduar është mbyllur as ne si pensionistë nuk na pranon kurrë në dialog social, sindikatat e arsimit çka po kërkojnë sot nuk është se e kanë mbajtur këtë grevë menjëherë kanë paralajmëruar disa herë kanë kërkuar vetëm dialog social, zbrit në dialog të merremi vesh”, tha ai.

Nxënësit ende nuk kanë nisur procesin mësimor pasi mësimdhënësit janë në grevë. Ata po kërkojnë 100 euro deri në finalizim të Ligjit të Pagave. /kp/

Exit mobile version