Sylejman Fetahu, ka disa vite që ka dalë në pension, mirëpo shuma e pensionit prej 90 euro që merr, thotë se nuk i mjafton për shpenzimet mujore.
“40 euro shpenzoj për barna. Pensioni për çaj e për rrugë nuk po me del. Më duhet të eci në këmbë 2 kilometër për të arritur te shtëpia. Trupi më është rënduar e këmbët më janë lodhur pak e po e kam shumë të vështirë të eci”, thotë për RTV Dukagjinin pensionisti Sylejman Fetahu.
Ndërsa kryetari i Federatës Sindikale të Pensionistëve, Invalidëve dhe të Moshuarëve, Sylejman Meta thotë se pensionistët po lihen mbas dore. Ai kërkon që shuma e pensionit të barazohet me shumën e pagës minimale në vend.
“Ne kërkojmë që pensioni të jetë më i madh dhe mbi të gjitha të ketë ligj pensional. Pa ligj pensional nuk mund të ketë zgjidhje të problemit të pensionistëve. Të gjitha shtetet e Evropës dhe rajonit kanë ligj të pensioneve e ne nuk kemi”, thotë Sylejman Meta.
Meta, gjithashtu kërkon që të mos kufizohet me 15 vjet stazhi i punës, por që pensionistët të paguhen për aq vite sa kanë punuar.
Ndërkaq edhe Nezir Musliu, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Prishtinës thotë se në gjendja e pensionistëve është diskriminuese ligjërisht.
“Kemi shumë raste në Komunën e Prishtinës që kemi parë që pensionistët po kërkojnë nëpër kontejnerë…Pensionistët janë të diskriminuar. Pa pasur fond për pensionistët gjendja e tyre nuk mund të zgjidhet”, tha Nezir Musliu
Në lidhje me shqetësimet e pensionistëve dhe kërkesat e tyre, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk ka dhënë ndonjë përgjigje. /Telegrafi/