Site icon Telegrafi

Pensionistët kategoria inekzistente për pushtetarët

Po jetojmë në një shtet që nuk punon për ardhmërinë e vendit e as nuk kujdeset për njerëzit të cilët i shërbyen për shumë vite. Ne po jetojmë në një vend ku neglizhohet çdo gjë, e kaluara dhe e tashmja.

Njerëzit të cilët që nga paslufta e luftës së II-të botërore kontribuuan, punuan për këtë Kosovën tone e cila sot po i harron.

Qeveri pas qeverie, kryeministër pas kryeministri, parti mbas partie në pushtet, të gjithë këta nuk u kujdesen për këtë kategori, e cila sot mund të thuhet lirisht se është e harruar nga ata të cilët do të duhej të kishin treguar kujdes për ta.

Premtimet e dhëna nga pushtetarët mbetën të tilla vetëm premtime të cilat u dhanë shpresë të madhe në fillim por që sot kanë mijëra pensionistë të zhgënjyer, të uritur, e të sëmurë. Të gjithë ata që u ulën në karrigen e ‘ëmbël’ të pushtetit premtuan aprovimin e shpejtë të ligjit të pensioneve, por që të gjithë mbeten fjalëshumë e punëpakë.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi kishte nënshkruar gjatë fushatës zgjedhore me BPIP një memorandum dhe kishte premtuar në aprovimin e shpejtë të ligjit të Pensioneve. Natyrisht atë kohë ishte fushata elektorale, veprim ky që kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës do i sillte më shumë vota.

Dua të u kujtoj se në Kosovë jetojnë shumë njerëz me varfëri të skajshme, si dhe pothuajse është zhdukur klasa e mesme. Pyes vetën se kur do të vetëdijesohen njerëzit në pushtet, në mënyrë që të punojnë me seriozitet për këtë kategori e që në mesin e tyre janë edhe prindërit e tyre.

Është krejtësisht e pakuptueshme mënyra se si e shtyjnë aprovimin e ligjit të pensioneve në parlament, deri më sot.

“Sot mbase ju keni pushtetin por nesër edhe ju do të bëheni si ata”.

Kryeministri Thaçi nuk e di se çka do të premtojë në fushatën e ardhshme, por e di se gjatë kësaj kohe shumë pensionistë do të vdesin e nuk do të mund të presin më shumë.

Po jetojmë në një shtet i cili nuk lufton për të rinjtë e as nuk kujdeset për të vjetrit…

Cila është e ardhmja që na pret?

Të gjithë thonë se shpresa vdes e fundit, e vetmja kjo na mbetet si ngushëllim për të vazhduar më tej.

Exit mobile version