Site icon Telegrafi

Pensionet tash e tutje dalin në mes të muajit – nga rritja e tyre përfitojnë rreth 175 mijë pensionist

Foto: Arkiv

Ministri i Financave, Hekuran Murati bëri të ditur se nga ky muaj pensionet do të merren në mes të muajit.

Murati në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës bëri të ditur se nuk do të ketë pensione nën 100 euro, ndërsa ndërrimi i datës për dhënien e pensioneve është bërë në mënyrë që të ketë planifikim më të mirë buxhetor.

“…Nuk do të ketë më pensione nën 100 euro. Ne si Ministri e Financave, duke pasur parasysh nevojat e familjeve do të synojmë që afatet kohore t’i zhvendosim.

Marrë parasysh që pagat merren në fund dhe thuajse secila familje mund të ketë një pensionist e kemi parë të nevojshme që të ndërrojmë afatin kohor se kur paguhen pensionet. Ka qenë java e fundit e muajit, diku datat 24, 25, tani e tutje synimi jonë është që pensionet të paguhen në mes të muajit…

Pra, duke filluar nga ky muaj do të tentojmë që të premten ose të hënën data 17 më së largu… Që nga ky muaj e tutje do të kemi pagesën e pensionit më mes të muajit e pagat në fund”, tha ai, raporton Telegrafi.

Ndryshe, me kërkesë së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve sot në Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për rritjen e shumës së skemave pensionale për katër kategori, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën vlerën prej 100 euro.

Kategoritë përfituese nga ky vendim janë pensionet bazike që kishin vlerë prej 90 euro, pensionet e aftësive të kufizuara që kishin vlerë prej 75 euro, pensionet familjare që kishin vlerë prej 90 euro, si dhe pensionet invalidore të punës që kishin vlerë prej 90 euro.

Rreth 175 mijë pensionist nga kategoritë e mësipërme do të përfitojnë nga rritja në pensione. /Telegrafi/

Exit mobile version