Site icon Telegrafi

Pensionet rriten me 20 për qind nga tetori, Murati: 100 milionë euro shtesë për 304 mijë përfitues

Ministri i Financave, Hekuran Murati në konferencë për media së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ka bërë të ditur se nga ky muaj pensionet do të rriten për 20 për qind.

“Është një lajm mjaft i mirë për të gjithë pensionmarrësit, sepse për të gjithë rritja do të jetë prej 20%, pra ato pensione që rregullohen sipas skemave dhe ligjit për pensionet e financuara nga shteti rritja do të filloj të zbatohet nga ky muaj”, tha Murati.

Ai shtoi se e ndryshimet e nevojshme edhe të shtojcës së ligjit përkatës për kategoritë e luftës, do të filloj rritja edhe për ato kategori të pensioneve nga janari i vitit që vjen.

“Ky ndryshim prek 304 mijë e 016 përfitues, ndërkaq impakti i tërësishëm buxhetor parashihet të jetë në shumën prej 100 milionë euro shtesë që do të alokohen për këtë rritje të pensioneve”, tha Murati.

Ministri i Financave tha se kjo rritje po bëhet falë politikave të mirëmenduara dhe rritjes së të hyrave.

“Falë pjekurisë dhe maturisë që kemi treguar sa i përket politikave fiskale kemi arrit ti bindim FMN që ky është veprimi i duhur që të shkojmë me një kapërcim prej 20%”, tha Murati.

Pra rritjen prej 20% nga ky muaj do ta përfitojnë të gjithë ata që janë pensionmarrës të: pensionit bazik të moshës, kontibutpagues i plotë dhe parcial, për aftësi të kufizuara për fëmijë dhe për të rritur, invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës.

Ndërkaq pensionet e përcaktuara në Ligjin për kategoritë e luftës, ku hyjnë familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre, këtë rritje do ta përfitojnë nga janari i vitit që vjen. /Telegrafi/

Exit mobile version