Telegrafi

Pensione për kosovarët që kanë punuar në Maqedoni

"Shpresoj se pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve marrëveshja do të jetë gati dhe do të mund të përurohet solemnisht", deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale i Maqedonisë Xhelal Bajrami.

Ai nuk mund të saktësonte se sa është shifra e shtetasve të Maqedonisë që punojnë në Kosovë dhe sa kosovarë punojnë në Maqedoni.

"Është fakt se Maqedonia dhe Kosova rezultojnë nga një ish-shtet i përbashkët dhe në atë kohë një numër i madh i qytetarëve nga Kosova punonin këtu dhe shumë qytetarë të Maqedonisë kanë punuar në Kosovë. Statusi i tyre rreth pensionimit ende nuk është zgjidhur dhe pikërisht kjo është njëra prej arsyeve për vendosjen e kësaj marrëveshjeje", tha Bajrami.

Të dyja palët e kanë potencuar nevojën e ndërmarrjes së aktiviteteve për rregullimin e çështjeve të lidhura me sigurimin social, gjegjësisht realizimin e të drejtave nga sigurimi pensional dhe invalidor, sigurimi shëndetësor, të drejtat në bazë të papunësisë së përkohshme dhe çështjet tjera.