Vendet e rajonit kanë të njëjtin synim strategjik, anëtarësimin në Bashkimin Evropian, tha ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov gjatë takimit me një delegacion nga Instituti për Vetëqeverisje Lokale të Kosovës.
“Për vendet e rajonit, emëruesi i përbashkët është perspektiva evropiane, dhe në këtë rrugë më e rëndësishme është që së pari të demonstrohet stabiliteti i brendshëm dhe stabiliteti i rajonit. Bashkëpunimi ndërmjet vendeve, ndërmjet institucioneve dhe mes qytetarëve është hapi i parë dhe më i rëndësishëm përmes të cilit ne manifestojmë pjekurinë tonë si rajon”, shtoi ai.
Penov përshëndeti vendimin e Parlamentit Evropian për liberalizimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Maqedonia e Veriut ka filluar procesin e hapjes së kornizës së negociatave. Skriningu në Brukseli është në vazhdim. Shpresojmë për hapje të plotë të negociatave, që është kusht për stabilitet politik, ekonomik dhe social dhe për zhvillimin e shtetit”, shtoi Penov.
Sipas tij, vetëqeverisja lokale është gjithmonë temë e rëndësishme dhe aktuale, sepse është një nga shtyllat thelbësore në ndërtimin e sistemit politik të shtetit.
Themelimi i vetëqeverisjes lokale ka ndikim të drejtpërdrejtë në demokratizimin e shoqërisë, në marrëdhëniet ndëretnike, si dhe në zhvillimin e balancuar socio-ekonomik të shtetit./Telegrafi/