Telegrafi

Penov: Do të ketë decentralizim më të madh kur të ketë vullnet

Procesi për decentralizim më të madh të komunave varet nga vullneti politik. Kjo është përmbledhja e përgjigjes së ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov në pyetjen e gazetarit se kur dhe si do të kenë kompetenca më të mëdha komunat, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ministri Penov, pas nënshkrimit të sotëm të marrëveshjes me Komunën e Tetovës, ka sqaruar se më së shumti është duke menduar për decentralizim financiar, gjegjësisht komunat të marrin më shumë mjete nga shteti, të cilat i mbledhin përmes tatimit mbi vlerën e shtuar.

“Nuk mund të ketë një datë, por po punohet për ato procese, ne po kërkojmë momentin kur do të ketë vullnet politik që një ligj i tillë sistematik të kalojë në parlament. Nga njëra anë, është e vërtetë se komunave si Tetova dhe komunave tjera më të mëdha duhet t’u jepet një mundësi shumë më e shpejtë për të funksionuar në mënyrë të pavarur. Por ka edhe komuna ku këto autorizime të vogla ende nuk po arrijnë t’i përmbushin siç duhet. Hapat e mëtejshëm për decentralizimin janë duke u punuar.

Në momentin që Kuvendi është i bllokuar, nuk është reale të pritet hapja e një debati të tillë në këtë moment”, tha Penov./Telegrafi/