Policia e Maqedonisë ka arritur që të ndalojë edhe një tentim masiv të kalimit ilegal të migrantëve, nëpërmjet Maqedonisë, për në Serbi dhe tutje.
Në rrugën rajonale Gjevgjeli-Shkup, në automjetin transportues “Ford Transit”, u gjetën 35 migrantë nga Pakistani dhe tre të tjerë nga India.
Automjeti me regjistrim të Velesit nuk e ka respektuar urdhërin e policisë për t’u ndaluar. Policia është vënë pas dhe ka arritur ta gjejë automjetin të ndaluar, por pa shoferin dhe me migrantët në pjesën ngarkuese.
Pas kontrolleve, është konstatuar se automjeti ka patur regjistrim të falsifikuar. Gjithashtu, në bisedë me migrantët, që janë të moshës 17 e deri më 41 vjeçare, është kuptuar se ata kanë kaluar ilegalisht nga Greqia për në Maqedoni, ndërsa kanë dhënë nga 4000 euro për të arritur në destinacionin e fundit, Evropën perëndimore. /Telegrafi/