Eksperti i anti-terrorizmit, Kolë Krasniqi, tha se Kosova nuk e ka një sistem të mbrojtjes kibernetike siç e kanë disa shtete tjera.
Këto momente Krasniqi i ka bërë duke komentuar pengimin e numërimit të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit.
”Sulmet kibernetike mund të kryhen nga territori i një shteti neutral, por pas tyre mund të qëndrojnë shërbimet inteligjente të e caktuara, të cilat kanë disponim negativ ndaj Kosovës”, tha Krasniqi, për RTV21.
Duke folur për procesin zgjedhor Krasniqi tha se zgjedhja e kandidatëve nga Lista Serbe është një provë që ata do të vazhdojnë me politikën e refuzimit të sovranitetit të Kosovës, duke kundërshtuar çdo përpjekje për integrimin e plotë të Kosovës në institucionet e saj.
”Një ftohje të raporteve, sepse ne si Kosovë kemi interesin që edhe përfaqësuesit e komuniteteve të integrohen në mënyrë demokratike në institucionet tona. Pikërisht zgjedhja e kandidatëve nga Lista Serbe është një dëshmi se ata do të vazhdojnë me politikën e refuzimit dhe kundërshtimit të çdo gjëje çka është sovranitet i Kosovës”, tha Krasniqi.