Spanjollja atraktive, Penelope Cruz, do t’i mahnitë fansat e saj me rolin e Donatella Versacet në serialin e ri me titull “The Assassination of Gianni Versace: American Crime Story” që sjell ngjarjen e vrasjes së dizajnerit të njohur italian, Gianni Versace.
Tashmë është publikuar edhe paraqitja e dytë e shkurtë për serinë e re me regji të Ryan Murphy, ku shfaqet motra e Giannit, Donatella (Penelope Cruz), pranë vendit ku është vrarë dizajneri ikonik.
Ngjashëm si paraqitja e parë e shkurtë, edhe e dyta nuk tregon shumëçka në lidhje me serialin e ri që do të nisë shfaqjen në vitin 2018.
Krahas Penelope, në këtë projekt aktrojnë edhe Edgar Ramirez, Ricky Martin e Darren Criss.
“The Assassination of Gianni Versace: American Crime Story” do të tregojë vrasjen e Giannit dhe luftën e Donatellas pas tragjedisë, si edhe rrugëtimin e saj në botën e modës.
Gianni Versace u vra më 15 korrik të vitit 1997 përpara shtëpisë së tij në Miami.
Atë e vrau një fans me prirje homoseksuale, mirëpo detajet e ngjarjes dhe motivet e vërteta të likuidimit nuk u sqaruan asnjëherë.
Pas vdekjes së tij, shtëpinë e modës Versace e mori motra Donatella, e cila edhe sot mban postin e drejtoreshës kreative. /Telegrafi/