Personi që hoqi flamurin turk në Prizren është penduar për veprimin që ka bërë në 9- vjetorin e Pavarëisë së Kosovës.
Ai tha se veprimi i tij, ka qenë spontan dhe i pamatur.
Avokati Gent Gjini tha se klienti i tij, në seancën e parë gjyqësor, pasi ka pranuar veprimin që ka bërë, ka shprehur keqardhje dhe kërkuar falje.
“Ai ka shprehur keqardhje dhe pendim për aktin që e ka bërë”, tha Gjini, shkruan PrizrenPress.
Flamuri turk në Prizren, është hequr në festën e Pavarësisë së Kosovës. Policia, pas hetimeve, ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin.
Avokati Gjini tha se heqja e flamurit turk nuk ka prapavijë politike.
“Nuk ka prapavijë politike, ndonjë organizim strukturor apo joshje materiale”, tha ai.
“Kjo ka rrjedhur krejtësisht në mënyrë spontane pa ndonjë arsyetim”.
Ky nuk është sulmi i parë “kundër” Turqisë në Prizren.
Vitin e kaluar në këtë qytet, ishte sulmuar Konsullata e Përgjithshme e Turqisë. Ajo, ishte sulmuar me koktej molotovi. Ndërkaq, të dyshuarit u patën penduar për veprimin e tyre.