Site icon Telegrafi

Pendarovski: Sofja duhet të kërkojë falje për holokaustin

Askund në Evropë, koncepti morbid i quajtur “zgjidhje përfundimtare e çështjes hebraike” nuk ishte zbatuar në mënyrë më efikase se sa në Maqedoninë e atëhershme të okupuar. Si në gjuhën hebraike ashtu edhe në gjuhën maqedonase kuptimi origjinal i fjalës drejtësi, i referohet asaj që i përgjigjet së vërtetës. Drejtësia nënkupton të njihet dhe emërtohet e vërteta dhe ajo të respektohet nga të gjithë. Që të ketë pajtim, duhet të kërkohet falje për rolin e qeverisë profashiste në Sofje në atë kohë në dëbimin e hebrenjve nga Maqedonia.

Këtë e theksoi presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e tij para përmendores së 7.144 hebrenjve të dëbuar nga Maqedonia e Veriut – ish Monopoli i Shkupit të cilët pikërisht në atë vend para 80 vjetëve në tri kolona ishin dërguar në stacionin hekurudhor dhe ishin dëbuar në kampin Treblinka. “Në mesin e gjashtë milionë hebrenjve që pësuan ishin edhe bashkatdhetarët tanë. Në fatin e tyre ne mund të njohim të gjitha fazat e Holokaustit. Hapi i parë ishte diskriminimi. Në atë kohë regjimi fashist në Sofje miratoi Ligjin për mbrojtjen e kombit, me të cilin hebrenjtë maqedonas diskriminoheshin sistematikisht. Të privuar nga shtetësia dhe mbrojtja ligjore, hebrenjtë u përjashtuan nga shërbimet publike, fëmijët u përjashtuan nga shkollat, familjet u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Hapi i dytë ishte izolimi. Me urdhër të Komisariatit për Çështje Hebraike, hebrenjtë duhej të mbanin Yllin e verdhë të Davidit në publik. Në atë mënyrë, simboli shekullor i identitetit hebraik u keqpërdor për të stigmatizuar hebrenjtë si të ndryshëm, të huaj dhe të rrezikshëm. Hapi i tretë ishte dehumanizimi”, theksoi Pendarovski.

Gati të gjithë hebrenjtë nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi, theksoi Pendarovski, nga Monopoli i Shkupit ishin dëbuar në Treblinkë ku në dhoma gazi u shuan jetët e afro një milionë njerëzve, në mesin e të cilëve edhe të hebrenjve nga Maqedonia e Veriut të cilët përfaqësonin 98 për qind të popullatës hebraike në Maqedoninë e Veriut dhe një të tretën e viktimave nga Maqedonia e Veriut në Luftën e Dytë Botërore. “Përballë këtyre fakteve, ne jemi të detyruar të shtrojmë këto pyetje: a kemi ne, gjeneratat e sotme të drejtë të qetësojmë ndërgjegjen jo të pastër për Holokaustin e hebrenjve maqedonas? A guxojmë të heshtim përballë revizionizmit historik që rehabiliton kriminelët dhe nderon fajtorët? A duhet të harrojmë se me nënshkrimet e kujt hebrenjtë maqedonas u privuan sistematikisht nga të drejtat e tyre civile, ekonomike dhe njerëzore dhe u dërguan në vdekje”, pyeti Pendarovski.

Ai tha që Bullgaria të kërkojë falje për rolin e qeverisë profashiste në Sofje në atë kohë në dëbimin e hebrenjve nga Maqedonia e Veriut. “Si në gjuhën hebraike ashtu edhe në gjuhën maqedonase, kuptimi origjinal i fjalës drejtësi i referohet asaj që i përgjigjet të vërtetës. Drejtësi do të thotë të njohësh dhe emërtosh të vërtetën dhe që ajo të respektohet nga të gjithë. Që të ketë pajtim, duhet të kërkohet falje për rolin e qeverisë profashiste në atë kohë në Sofje në dëbimin e hebrenjve maqedonas”, theksoi Pendarovski. Kjo, shtoi Pendarovski, është kohë kritike kur numri i dëshmitarëve të mbijetuar në Holokaust po ulet, ndërsa antisemitizmi po rritet. “Institucionet tona janë të detyruara të zbatojnë detyrimet që kemi marrë si vend në forumin ndërkombëtar për Holokaustin në Malmo. Ndërsa ajo është që përmes programit mësimor dhe vizitës së detyrueshme në Qendrën Përkujtimore të Holokaustit t’i edukojmë nxënësit për të vërtetën për këtë gjenocid dhe për t’i mbrojtur ata nga virusi i rrezikshëm i antisemitizmit. Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Eli Visel, i quajtur ndërgjegjja e botës, dikur tha: ‘Nëse diçka mund të shpëtojë njerëzimin, vetëm kujtesa mundet. Për mua, shpresa pa kujtesë është si kujtesa pa shpresë’. Prandaj është obligim moral që të kujtojmë dhe të mos harrojmë, që asnjëherë të mos lejojmë që forcat e së keqes ta përsërisin krimin”, tha presidenti Pendarovski.

Exit mobile version