“Miqësinë me Serbinë në të ardhmen pres ta ndërtojmë në mënyrë edhe më intensive sepse ndajmë një të kaluar të përbashkët dhe synojmë ndaj një qëllimi të përbashkët – anëtarësimi në BE. Për qëllimet tona strategjike sot kisha bisedë të dobishme me presidentit e Serbisë, Vuçiq. Bashkimi Evropian nuk guxon ta anashkalojë Ballkanin Perëndimor. Garancia e vetme për stabilitet, siguri dhe prosperitet për rajonin është anëtarësimi në BE”.
Këtë e ka thënë presidenti Stevo Pendarovski pas takimit të sotëm me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd.
Presidenti Pendarovski i cili po qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Serbi, paradite u prit nga Vuçiqi para Pallatit Serbia në Beograd me nderime më të larta shtetërore dhe ushtarake.
Dy presidentët patën takim tet-a-tet, në të cilin i konfirmuan marrëdhëniet miqësore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë dhe e potencuan rëndësinë dhe përkushtimin e ndërtimit, mirëmbajtjen dhe avancimin e dialogut të ndërsjellë.
Pas takimit të dy presidentëve, u mbajt edhe takim plenar mes delegacioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Republikës së Serbisë, pas çka do të vijojë edhe konferencë e përbashkët për shtyp të presidentëve.
Gjatë konferencës së përbashkët, presidenti serb kishte një koment interesant për Pendarovskin, të cilit i tha të mos i vendos dëgjueset për përkthim, pasi e flet serbishten mjaft mirë.
Ndryshe, Pendarovski nesër në Novi Sad do të marrë pjesë në Forumin e 4-të rajonal rinor dhe do të ketë fjalim në panel-diskutimin presidencial “Fjalim i të rinjve para përfaqësuesve të pushtetit: Prezantim i dialogut politik para mijëvjeçarve”, së bashku me presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor./Telegrafi/