Telegrafi

Pendarovski propozon Samit të jashtëzakonshëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor

Kryetari i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski propozon që në periudhën që vjen të mbahet një Samit i jashtëzakonshëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohet “për zgjerimin dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe të hedhim poshtë alternativat tjera”. Nëse ka pajtueshmëri, Samiti do të mbahej në Maqedoni të Veriut.

Këtë propozim, kryetari Pendarovski e shprehu pas takimit me kryetarin e Shqipërisë, Ilir Meta në Tiranë. Ky është takimi i parë zyrtar mes dy vendeve pas refuzimit të BE-së për nisje të bisedimeve për Maqedoninë dhe Shqipërisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Pendarovski tha se me kryetarin e Shqipërisë janë pajtuar se si dy kryetarë janë të obliguar të vazhdojnë të inkurajojnë të gjitha partitë politike në dy shtetet të vazhdojnë me agjendën evropiane dhe t’i bindin liderët evropianë se bisedimet me vendet e rajonit janë investim në stabilitet dhe prosperitet.

Pendarovski gjithashtu tha se dy vendet duhet të nisin bisedimet me BE-në bashkërisht.

Në takim me Metën, kryetari Pendarovski ka propozuar të formohet grup joformal të miqësisë mes Maqedonisë dhe Shqipërisë.

“Propozova nismë që të formohet grup jofromal për miqësinë mes Maqedonisë dhe Shqipërisë ku do të marrin pjesë ekonomisë, intelektualë njerëz nga kultura”, tha Pendarovski. Në takim, gjithashtu është biseduar për pakicën maqedonase në Shqipëri dhe për shqiptarët në Maqedoni të Veriut./Telegrafi/