Me rastin e 17 majit, Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë, Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski dërgoi këtë mesazh:
“Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë, na kujtohet nevoja e ndërgjegjësimit, lufta e vazhdueshme për më shumë të drejta dhe mundësi të barabarta për personat LGBTIQ+. Shumë prej tyre ende jetojnë me frikën e pranimit shoqëror, janë subjekt i diskriminimit, ngacmimit me fjalë ose viktima të dhunës si akte urrejtjeje. Fatkeqësisht, si shoqëri nuk jemi imun ndaj paragjykimeve, stigmatizimit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj njerëzve që janë pjesë e komunitetit LGBTIQ+”, shkruan presidenti Pendarovski.
Pendarovski më tej sqaron se njerëzit duhet të gëzojnë të drejta të barabarta pa u diskriminuar.
“Diskriminimi në bazë të orientimit seksual ose identitetit gjinor është i papranueshëm. Të gjithë njerëzit duhet të gëzojnë të drejtat themelore të njeriut dhe nuk duhet të ketë përjashtime në asnjë bazë. Ne të gjithë duhet të kontribuojmë në promovimin e përfshirjes në shoqërinë tonë të përbashkët, duke pranuar dhe respektuar diversitetin. Le të krijojmë një shoqëri në të cilën të gjithë gëzojmë të drejta themelore, një komunitet në të cilin qytetarët e margjinalizuar mbrohen, në përputhje me vlerat demokratike në të cilat ne besojmë”, përfundon mesazhin e tij, Pendarovski.