Presidenti i RMV-së Stevo Pendarovski, nëpërmjet një video-paraqitje ka uruar 32-vjetorin e Pavarisës së Maqedonisë së Veriut.
Ai thotë se “qëllimi i ekzistencës së Republikës është të arrijmë së bashku atë që nuk mund ta arrijmë veçmas – lirinë, drejtësinë, mirëqenien ekonomike dhe bashkëjetesën”.
“Ashtu si çdo sukses i deritanishëm i shtetit të Maqedonisë është rezultat i përpjekeve të përbashkëta, ashtu edhe pothuajse çdo dështim sistematik është pasojë e devijimit nga ai parim. Gëzuar Ditën e pavarësisë, Qoftë e përjetshme Republika e Maqedonisë”.
“Ndër vite kemi shënuar suksese dhe mossuksese, disa nga ato ndodhën pikërisht në ditën e pavarësisë. Sukseset na gëzuan, por, për fat të keq, shembujt e keqpërdorimeve dhe dështimeve sistematike shkatërruan besimin në institucione dhe e zhvlerësuan vetë shtetin. Ndërsa çmimin e paguajnë ata që më së paku kanë kontribuuar për gjendje të tilla – nxënësit në arsim, të sëmurët në shëndetësi, të varfërit dhe rinia. Gjithnjë e më shpesh solidariteti dhe empatia filluan t’i lënë vendin egoizmit dhe apatisë, dhe ky është një mjedis ku njerëzit nuk duan të jetojnë”, porositi Pendarovski.
Presidenti thekson se është koha që të konfirmojmë se jemi të aftë edhe në praktikë, ndërsa jo vetëm me fjalë të ballafaqohemi me problemet serioze me të cilat përballemi në tunelin e gjatë të tranzicionit të cilin nuk do ta përfundojmë kurrë.
“Shteti ka shumë njerëz të zgjuar dhe të virtytshëm, njerëz që mund të rikthejnë frymën e Republikës së Maqedonisë në bazë të vlerave themelore kushtetuese dhe të përgjithshme civilizuese. Vetëm kështu do ta ruajmë shpresën se pas më shumë se tri dekadash përfundimisht do të kemi një Maqedoni evropiane dhe demokratike në të cilën të rinjtë do të duan të jetojnë dhe të përparojnë. Jam i bindur se kemi forcë dhe vullnet për diçka të tillë! Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Qoftë e përjetshme Republika e Maqedonisë”, thotë Pendarovski./Telegrafi/