Kandidati për president i partive në pushtet, Stevo Pendarovski, sot tha se ka përfunduar puna me ndjekjen dhe fotografimin e tij. Ai tha se nuk ndjehet i rrezikuar dhe se me denoncimin në SPB të ndjekjes së tij ka kryer detyrën qytetare.
“Ajo çështje, për mua është e mbyllur unë kam dërguar procesverbal në SPB Shkup dhe kjo çështje u mbetet organeve të policisë, unë detyrën time si qytetarë e kam kryer, tani kjo mbetet në duart e organeve kompetente. Nuk dua ta komentoj më shumë, të mos jetë ky një lloj presioni mbi organet adekuate. Unë nuk frikësohem, unë kam besim të plotë tek institucionet e sistemit, por ishte ndjenjë jo e mirë dikush të të fotografoj”, tha Pendarovski.
Pendarovski shpreson dhe pret një fushatë korrekte parazgjedhore edhe nga dy kandidatët e tjerë, Blerim Reka dhe Gordana Siljanovska.
Ai nuk u përgjigj në pyetjen nëse është ndjekur nga shërbimet e huaja, të cilat janë të afërta me opozitën./Telegrafi/