Site icon Telegrafi

Pendarovski: Deri në këtë moment nuk kemi hyrë në skenarin bullgar

Presidenti Stevo Pendarovski nuk mendon se vendi ka hyrë në skenarin bullgar. Zhvillimet politike, vlerëson ai, ende po zhvillohen në kuadër të Parlamentit, përmes procedurave dhe kjo është mirë.

Do të jetë keq, thotë ai, “nëse zhvendosen në rrugë”. Siç ka thënë, madje Pendarovski gjatë pjesëmarrjes në TV Sitel, keqkuptimi më i madh është se në një rast të tillë, ai duhet të thirr takim liderësh. Shefi i shtetit mbetet në qëndrimin se dorëheqja e dorëzuar nga kryeministri Zoran Zaev është vendim i përshpejtuar, por shton se është punë e kryer.

“Deri në këtë moment nuk kemi hyrë dhe nuk besoj se do të hyjmë në skenarin bullgar, sepse kjo nënkupton se asnjëra nga partitë nuk mund të formojë shumicë dhe patjetër të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Mendoj se shtyrja është vetëm për shkak se deklarata e Zaevit është se do dëshironte fillimisht të zgjidhet lideri i partisë dhe më pas ai të jetë mandatar i qeverisë së re”, tha Pendarovski.

Ai është decid se nuk ka pasur dilemë, as edhe mëdyshje kujt t’ia japë mandatin kur duhej të votohet mosbesimi i Qeverisë në Kuvend dhe kur kishte “garë” rreth shumicës.

“E kisha të qartë se çfarë do të bëja në raport me shumicën. Së pari votohet mosbesimi Qeverisë dhe më pas zgjedh një të re me shumicë prej 61 deputetësh. Nëse do ta rrëzonin Qeverinë me 61 deputetë, do të ishte legjitime që të dytës sipas numrit të deputetëve, VMRO-DPMNE-së t’i jepej mandati. Nëse mbetej ajo shumicë edhe kur do të zgjidhej qeveria e re, do të mjaftonte vetëm një telefonatë nga lideri i opozitës dhe këtu Kushtetuta nuk lë hapësirë, doemos mandati t’u jepet atyre që kanë shumicën”, ka thënë Pendarovski.

Lidhur me kontestin me Bullgarinë, Pendarovski ka thënë se duhet të përqendrohen në ata që eventualisht do të formojnë qeveri të re. Radevi, theksoi Pendarovski, për momentin është institucioni i vetëm funksional dhe një situatë e tillë në Bullgari mund të ekzistojë deri më 14 dhjetor.

“Mund të bisedojmë për atë se çka mendojnë ata. Çka kërkojmë të flasim për Samuilin, nëse kriteri është BE-ja?, tha Pendarovski.

Exit mobile version