Site icon Telegrafi

Pendarovski: Dërgimi i ambasadorëve bëhet sipas procedurës ligjore

OBRM-PDUKM dhe presidenti Stevo Pendarovski, me qëndrime të ndryshme për procedurën e dërgimit të ambasadorëve jashtë vendit. Presidenti dje vendosi të nënshkruajë dekret për dërgimin e pesë ambasadorëve, ndër të cilët kandidatët për Bruksel dhe Sofje, Metodija Belevski dhe Agnesa Rusi Popovska, të cilët nuk u dëgjuan në Kuvend. Sipas Zyrës së Presidentit, asnjë procedurë ligjore nuk është anashkaluar.

Nga atje thonë se prezantimi i ekspozesë së kandidatëve për ambasadorë në Komisionin për Politikë të Jashtme, nuk është obligim ligjor por praktikë dhe disa herë është penguar puna e këtij Komisioni. Ndryshe, Komisioni kryesohet nga deputetë të opozitës.

“Për arsye të pashpjegueshme nuk është mbajtur asnjë seancë në të cilën kandidatët për ambasadorë në Bruksel dhe Sofje, do të mund të paraqesin tezat e tyre. Për të pesë kandidatët janë plotësuar kushtet ligjore për referim dhe duke pasur parasysh rëndësinë që Brukseli dhe Sofja, janë qendra të rëndësishme politike, presidenti nënshkroi një dekret për emërimin edhe të këtyre ambasadorëve”, thanë nga Zyra e Presidentit.

Në seancën e fundit të së mërkurës, Komisioni u kryesua nga deputeti i OBRM-PDUKM-së Dragan Kovaçki, i cili e ndërpreu seancën pa arsyetuar, edhe pse jo të gjithë kandidatët për ambasadorë ishin dëgjuar plotësisht.

“Na vjen keq që presidenti Pendarovski vendosi të krijojë precedentë dhe të mos respektojë dispozitat ligjore, gjegjësisht të shkel nenin 39 të Ligjit për Punë të Jashtme, dhe të nxjerrë dekret për ambasadorët që ende nuk kanë ardhur për t’u paraqitur në seancën e filluar të Komisionit për politikë të jashtme. Këta precedentë flasin për qëndrimin e tij ndaj Kuvendit dhe ligjeve”, tha Dragan Kovaçki, deputet i OBRM-PDUKM-së.

Komisioni për Politikë të Jashtme më herët ka qenë objekt i polemikave mes shefit të diplomacisë Osmani dhe Antonio Milloshoskit, i cili kryeson komisionin, pikërisht për ambasadorët. Osmani e ka thirrur disa herë publikisht Milloshoskin se nuk e thërret seancën për dëgjimin e ambasadorëve, edhe pse një pjesë e madhe e misioneve diplomatike kanë qenë të zbrazura me vite të tëra./Alsat/

Exit mobile version