Presidenti dhe Komandanti i Lartë i forcave të armatosura të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski i dha urdhër armatës që një pjesë e ushtarëve dhe mjeteve të ushtrisë të angazhohen si forca të paarmatosura për kryerjen e detyrave.
Detyrat e ushtarëve janë mbështetja e institucioneve shtetërore gjatë menaxhimit me pasojat e pandemisë së coronavirusit, ndërsa urdhri hyn menjëherë në fuqi, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Shtabi i Përgjithshëm i Armatës do të angazhojë forca dhe mjete për mbështetje mjekësore në spitale dhe në qendrat e Ministrisë së Shëndetësisë, transportimit të mjeteve dhe pajisjeve mjekësore”, thonë nga kabineti i Pendarovskit.
Ata shtojnë se ushtria po ashtu do të ndihmojë në sigurimin e hapësirës së magazinës ku ka pajisje mbrojtëse, vendosjen e çadrave si dhe do të merret edhe me dezinfektimin e hapësirave./Telegrafi/