Site icon Telegrafi

Penalltia “alla Panenka” e Hoxhës, Chievo ofron 400 mijë euro për portierin e Partizanit (Video)

Penalltia “alla Panenka” e portierit të Partizanit, Alban Hoxha, ndaj Ferencvaroshit bëri xhiron e botës për faktin e thjeshtë që është pikërisht një portier, ai që arrin të ketë një cilësi teknike të këtij niveli.

Gjithsesi Alban Hoxha, në një intervistë për Top Channel, tregon se kjo nuk ishte hera e parë, madje se kishte provuar t’ia shënonte një të tillë edhe Berishës e Shehit në kombëtare.

“Edhe në kombëtare, pas stërvitjes kemi gjuajtur shpeshherë me Berishën e Shehin penallti të këtilla”, thotë Alban Hoxha.

Megjithatë, një goditje e tillë konsiderohet gjithmonë fyese për portierin që e pëson, e si për ironi të fatit këtë herë goditja erdhi nga një tjetër portier.

“Nëse do të ma gjuanin mua atë penallti, do të ishte shumë e vështirë ta kapërceja atë moment. Unë e gjuajta në atë mënyrë jo për të poshtëruar portierin kundërshtar, por se ashtu e mendova dhe besova se aty do të ishte goli më i sigurtë”, shprehet Hoxha.

Por mrekullia e kapitenit të Partizanit nuk mbeti te kjo goditje. Ajo u zgjerua edhe me pritjen e tre 11-metërshave.

Lexo po ashtu Partizani në krye me Alban Hoxhën vazhdon aventurën për kualifikimet e LK-së

“Kisha një siguri se dy penallti do t’ua kapja kundërshtarëve, pastaj çdo gjë do të ngelej në duart e ekipit. Këtë e kisha të sigurtë. Janë edhe disa gjëra teknike, të cilat nuk mund t’i them këtu, sepse kemi kampionatin përpara”, vijon deklaratën e tij portieri i Partizanit.

Kjo paraqitje e tij e fundit ishte thjesht “qershia mbi tortë” e një periudhe disavjeçare, gjatë së cilës ai po luan në nivele kaq të larta. Në ndeshjen me Ferencvaroshin në Hungari ka pasur menaxherë të shumtë që e mbajtën nën vëzhgim, disa prej tyre edhe nga skuadrat e Palermos dhe të Chievos.

“Në qoftë se do të flitet për një kampionat të fortë, kam dëshirë që të iki e të provoj veten në një sfidë më të vështirë”, thotë Alban Hoxha.

Duket se Chievo është më e gatshme për të marrë portierin e Partizanit, madje ka plotësuar kushtin financiar të kërkuar nga “të kuqtë”, prej 400 mijë eurosh. Megjithatë, tani topi është në fushën e Partizanit, për të vendosur nëse do t’i hapë rrugë karrierës së Hoxhës për një provë perëndimore, apo të respektojë kontratën.

https://www.youtube.com/watch?v=PP8e7RYUGP4

Exit mobile version