Site icon Telegrafi

Penallti me shumicë për vendasit

Penalltitë për skuadrat vendase sikur janë në treg më shumicë dhe atë me çmim shumë të lirë, ndërkohë që kjo nuk vlen për skuadrat udhëtuese. Hajvalia humbi në Pejë pas penalltisë, por mysafirët kanë vërejtje në gjyqtarin edhe për gjëra të tjera.

“Është një dukuri jo e mirë, madje alarmante e cila duhet ndalur gjithsesi. Tri penallti të dyshimta për të mos thënë të paqena për vendas në tri ndeshje, kjo është e tepërt. Duhet të mendojmë më shumë për futbollistët të cilët ushtrojnë e derdhin djersë dhe nuk duhet lejuar gjyqtarët të luajnë me fatin e tyre. Në Pejë nuk kishte drejtësi, madje gjyqtari në asnjë moment nuk i ka ruajtur lojtarët dhe shëndetin e tyre nga loja e ashpër. Ndoshta është hera e parë që unë po flas kështu për gjyqtarët, por kjo çka po ndodh është alarmante dhe sikur ka filluar herët të ndahet shapi nga sheqeri. Jemi mësuar që gjërat e tilla të ndodhin më vonë, por që kjo të na ndodh në dy javët e para nuk e kam pritur ”, tha kryetrajneri i Hajvalisë, Bekim Isufi.

I mllefosur me ndarjen e drejtësisë është edhe kryetrajneri i Trepçës Rafet Prekazi, pasi skuadra e tij pësoi humbje minimale me golin nga penalltia e dyshimtë dhe atë nga fundi i ndeshjes.

“Nuk di se çka të them. Gjyqtari në fillim të ndeshjes e përjashtoi lojtarin tonë dhe në vend se në vazhdim të jetë i drejtë ai ua mohon djersën dhe nga fundi i ndeshjes jep penallti për vendas e cila fare nuk ka ekzistuar. Në raste të tilla edhe po të ishte penalltia e pastër gjyqtari duhet të mendohet mirë, e jo ashtu siç bëri ky gjyqtar në Skenderaj. I njëjti gjyqtar një javë më parë nuk dha penallti të pastër për ne dhe gabimin e ka pranuar. Nuk e di pse një gjyqtar ta ndajë drejtësinë të njëjtës skuadre në dy javët e parë. Nëse gjyqtarët e kanë nisur lojën e tyre kaq herët, atëherë nuk e di se çka na pret në vazhdim të kampionatit”, tha Rafet Prekazi.

Reagimet e shumta natyrisht se e kanë shqetësuar edhe kryetarin e Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasanin, i cili premton rregullsi duke thënë se “çdo padrejtësi nga ana e gjyqtarëve më shqetëson, por duhet ditur se penalltia është bindja e lirë e gjyqtarit. Nëse kanë gabuar apo dëshmohet se e kanë bërë me qëllim sigurisht se do të dënohen. Komisioni mblidhet, i shqyrton materialet që i ka në dispozicion dhe besoj se do të marrë vendime meritore”. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version