Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci tha se gradualisht po merr fund shitja e produkteve gjatë pikut sezonal dhe, sipas tij, fermerët përmes pikave grumbulluese do të përfitojnë shumë. “Gjithmonë në periudhat jashtë sezonale fermerët tanë kanë qenë të detyruar t’i shesin produktet e tyre gjatë pikut sezonal, për arsye se nuk kanë pasur se ku t’i ruajnë ato dhe rrjedhimisht duke mos pasur mundësi që të krijojnë të ardhura, ashtu siç do të kenë mundësi duke përfituar drejtpërdrejt edhe nga kjo qendër grumbulluese dhe nga të gjitha tjerat që ekzistojnë apo që do të ndërtohen në të ardhmen anë e mban Kosovës”, theksoi Stavileci.
Ndërsa menaxheri i projektit, Fehim Krasniqi ka treguar kapacitetet e kësaj pike grumbulluese por ka folur edhe për numrin e të punësuarve. Sipas tij, aktualisht, në këtë pikë, janë punësuar 10 persona, ndërsa në sezon do të punësohet edhe 30 deri në 40 të tjerë. “Kapacitet e qendrës grumbulluese janë dy deri në tre tonë klasifikim në orë, ndërsa kapacitet ruajtëse janë nga 250 deri në 300 tonë. Ka kapacitete ftohëse, dy frigoriferë deri në 800 metra ku mund të ruhen këta tonë me perime të freskëta. Ky projekt është financuar nga Komisioni Evropian ku vlera e tij ka qenë 339 mijë euro, ku Komuna e Rahavecit ka participuar me 40 mijë euro”, u shpreh ai.
Përfaqësuesit e Komisionit Evropian kanë pohuar se kjo qendër është shumë e rëndësishme meqë me kapacitetet dhe pajisjet e veta, mundëson që produktet të mos shiten gjatë sezonit kryesor por nëpërmjet frigoriferëve mundësohet ruajtja e tyre, kurse shitja në një moment më të favorshëm.
Në kuadër të këtij projekti gjithashtu ka pasur edhe trajnime për fermerët se si t’i ruajnë dhe t’i grumbullojnë produktet e tyre, e t’i shesin në një kohë kur ekzistojnë më pak në treg. /Telegrafi/