Trajneri i Manchester Cityt, Manuel Pellegrini është i bindur se do të mund ta përsëritë suksesin e më hershëm kur kishte ndalur me ekipet e tij Cristiano Ronaldon.
Këto komente ai i bëri në prag të përballjes kundër Real Madridit, e cila zhvillohet të martën në Etihad, transmeton Koha.net. Ronaldo ka munguar në ndeshjen e fundit të Real Madridit, por pritet të rikthehet kundër Cityt.
Pellegrini, sa ishte pjesë e Villarrealit kishte arritur të ndalonte Ronaldo, i cili në atë kohë luante me Manchester Unitedin, raporton Goal.
“Cristiano kishte nënshkruar para se unë të arrija në Madrid, por nuk jam i befasuar me atë që ka arritur në Madrid. E njihja mirë sa ishte pjesë e Unitedit, kur unë isha te Villarreali”.
“Kemi luajtur katër ndeshje kundër tyre në Ligën e Kampionëve dhe në të gjitha ndeshjet ishte 0-0, prandaj në defensivë mendoj se kemi bërë gjërat mirë”.
“Në atë kohë nuk ishte vetëm Ronaldo, pasi atje luanin, Rooney, Giggs, Scholes e Nistelrooy. Ronaldo ishte shumë i mirë, por fakti që u largua në moshën 24 vjeçare kuptohej se ende nuk e kishte arritur kulmin, gjë që e bëri te Reali”, ka thënë Pellegrini.