Tanimë 16 vjet po bëhen bisedime për hapjen e deponisë rajonale të Pellagonisë, që do të ishte bazë për mbeturinat e nëntë komunave. Nëse sigurohen mjetet financiare, më së voni për 2 vite mund të hapet deponia me qendër në Novaci, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Përpunimi i dokumentacionit të nevojshëm është në fazën përfundimtare dhe nëse së shpejti sigurohen 30 milionë euro, për 2 vite pritet që rajoni i Pellagonisë të ketë deponinë rajonale. Deri më tani janë siguruar vetëm mjetet për përpunimin e dokumentacionit të nevojshëm nga fondet IPA dhe nëse sigurohen mjetet financiare për ndërtim, brenda një viti mund të fillojnë punimet për ndërtimin e deponisë.
Nga kompania që është e përfshirë në përpunimin e projektit, thonë se situata ekologjike është brengosëse sepse vetëm në këtë rajon ka mbi 100 deponi të egra.
‘Në rajonin e Pellagonisë ka mbi 100 deponi të egra, që nënkupton se ndikimi është shumë i madh. Por, sistemi i ri që planifikohet të ndërtohet, është projekt bashkëkohor sipas kërkesave dhe standardeve të BE-së për të parandaluar ndikimet negative që mund të krijojnë mbeturinat në shëndetin e njeriut ose në mjedisin jetësor’, thuhet në kumtesën e kompanisë./Telegrafi/