Telegrafi

Pelegrinët e parë mbërrijnë në Mekë për “Haxhi 2020”

Qyteti i Mekës ka hapur përsëri krahët për të mirëpritur haxhinjtë për Haxhin vjetor – megjithëse vetëm një pjesë e vogël në krahasim me vitet e kaluara.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Për shkak të pandemisë COVID-19, ngjarja e këtij viti është e kufizuar në rreth 1.000 pelegrinë, të gjithë nga brenda Arabisë Saudite, rreth 700 prej të cilëve janë mërgimtarë.

Abdullah Al-Kathiri, një emirat dhe një pacient i rikuperuar nga COVID-19, e shtyu haxhin e tij vitin e kaluar sepse përkoi me planet e tij të dasmës.

“Kam dëgjuar nga shumë njerëz që kanë kryer haxhin gjatë viteve të kaluara se ai ishte gjithmonë një proces i qetë, madje edhe me numrin masiv”, tha ai. “Kështu që ju mund ta imagjinoni se si do të ishte me numrin e kufizuar të pelegrinëve këtë vit. Me siguri do të jetë një përvojë e shkëlqyeshme”.

Khadija, një mërgimtare bullgare, u pa me lot në sy kur dëgjoi se do të kryente haxhin këtë vit, shkruan Arabnews.

“Nuk e prisja që ata do të pranonin”, ka thënë ajo. “Jam e sigurt se Haxhi i këtij viti do të jetë një i jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet”.

Ndërsa Dr. Haifa Yousef Hamdoon, një mjeke tuniziane në Qassim, është një tjetër që nuk priste të pranohej për shkak të numrave të ulët këtë vit.

“Kur mora konfirmimin e kërkesës sime, unë u gëzova shumë dhe nuk mund ta besoja”, tha ajo.

Sipas medieve vendase, pas përfundimit të procedurave të mbërritjes, haxhilerët u dërguan në akomodimin e tyre në Mekkë, të mbikëqyrur nga Ministria e Haxhit dhe Umrah.

Ata do të qëndrojnë atje për katër ditë para se të fillojnë haxhin e tyre në 30 korrik. /Telegrafi/